Nga Brukseli në Itali me 120 kapsula me heroinë në stomak! Shitësja e rrobave arrestohet në aeroport

Një fluturim i shkurtër nga Brukseli. 46 vjeçarja nga Nigeria kishte zgjedhur ta bënte udhëtimin  pa bagazh, ndërsa në stomak kishte fshehur 120 kapsula me heroine.

Arrestimi u krye në aeroportin Orio al Serio të Bergamos në Itali.

Dyshimet e doganierëve dhe të Guardia di Finanza lindën për shkak të disa detajeve, mes tyre edhe përgjigjet kontradiktore dhe të paqarta që e dyshuara dha mbi qëndrimin e saj të shkurtër në Belgjikë. Hetimet treguan se udhëtimi i  saj duhej të përfundonte në Alghero.

Sinjalizimi kishte ardhur që më parë nga Brukseli, falë bashkëpunimit doganor evropian. Pasi u mor në pyetje gruaja pranoi se kishte gëlltitur dhjetëra kapsula duke përdorur teknikën e quajtur “body packing”, për t’i transportuar ato në zorrë deri në destinacion.

Dyshimet u kthyen në siguri në spitalin “Papa Giovanni XXIII” të Bergamos, ku një radiografi tregoi qartë se çfarë përmbante në stomakun e saj: kapsula të forta plastike të mbështjella me shirit ngjitës. Analizat konfirmuan se brenda tyre kishte heroinë, me një peshë totale prej 1.393 kilogramësh.

Pas nxjerrjes së kapsulave, lënda narkotike u sekuestrua, ndërsa gruaja – e cila punonte si shitëse ambulante rrobash – u dërgua në burgun e Bergamos.