PD çon në SPAK 'Samitin e Arubës' / Kalaja: Rama dhe Balluku të lidhur me skemë pastrimi parash përmes ndërtimit
Kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, ka depozituar sot një kallëzim penal në SPAK, ku ngre akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, duke i lidhur drejtpërdrejt me një skemë të dyshuar pastrimi parash përmes lejeve të ndërtimit në Tiranë dhe në bregdetin shqiptar.
E ftuar në intervistën e ditës në Syri TV, Kalaja u shpreh se ky kallëzim është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për të zbardhur lidhjet e pushtetit të lartë me skemat kriminale që dëmtojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit shqiptar.
Ajo theksoi se SPAK ka dështuar të hetojë me seriozitet këto akuza dhe ka përjashtuar mundësinë e hetimeve të pavarura, duke u përqendruar vetëm në dosjet që vijnë nga jashtë. Sipas Kalasë, ky është një moment kritik për drejtësinë shqiptare, pasi heshtja e institucioneve hetimore ka krijuar një klimë të favorshme për pastrimin e parave të pista, përmes ndërtimit të projekteve pa kriter, të cilat janë të lidhura ngushtë me financimet e paligjshme.
Ajo i bëri thirrje SPAK-ut që të veprojë pa dallim dhe të nisë hetimet ndaj figurave të larta të qeverisë, për të nxjerrë në dritë të vërtetën dhe për të siguruar që askush nuk është mbi ligjin.
Pjesë nga deklarata:
Problemi, jo vetëm që nuk ka asnjë lloj iniciative për ta hetuar, por gjithmonë kanë ndeshur në një mur mbrojtës, sepse, dëshiroj apo jo, në kallëzime të tjera të bëra nga unë, sepse ky është kallëzimi 85 që unë bëj në SPAK. Në kallëzime të tjera, në një formë a në një tjetër, unë e kam ngritur shqetësimin e ndërtimeve antiligjore, të cilat jo vetëm që nuk kanë burimin e ligjshëm të financimit, por është dukshem pastrim i produktit të veprave penale, për sa kohë çmimi është stratosferik dhe nuk krahasohet me çmimet në rajon apo me të ardhurat për frymë në vendin tonë. Nuk duhet shumë punë për të bërë këtë; mjafton të dalesh në qendër të Tiranës, të shohësh ndërtime pa kriter në dëm të interesave të publikut. Nuk ka nevojë që as PD, as Adriana Kalaja të shkojnë në SPAK, por SPAK vetë, kryesisht siç ka filluar disa hetime kur e ka marrë në telefon Rama, duhet ta bëjë edhe me këtë. Por nuk e ka bërë dhe nuk do ta bëjë, për sa kohë personi kryesor i lidhur me këtë çështje është vetë Rama.
Ka një problem shumë të madh me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për lirinë e biznesit në Shqipëri, i cili ka ngritur pika alarmante, të cilat ne, në fakt, i kemi ngritur në mënyrë sistematike dhe i kemi denoncuar me fakte dhe prova. Jo vetëm që nuk janë marrë në konsideratë, por janë bërë fortesa përpara opozitës. PD-ja, për të çuar deri në fund hetimin në lidhje me këtë skandal kaq të madh që nuk cenon vetëm sigurinë e vendit tonë, por cenon edhe interesin e vendeve të Europës apo edhe deri në SHBA.
Edhe lufta me krimin e organizuar, kartellet e drogës që Trump ka shpallur si grupe terroriste, SPAK nuk ka bërë asnjë veprim konkret, sepse çdo dosje që po hetohet nga SPAK nuk ka një dosje që të hetohet si një hetim me iniciativë. SPAK po heton dosje të ardhura nga jashtë. DASH, në raportin e fundit, tha që nuk ka garë; fituesi është i paracaktuar dhe ligjet bëhen me porosi. Kjo është 90% e objektit të kallëzimeve që unë kam bërë në 85 kallëzime në SPAK dhe, pa dyshim, duhet të vihet alarmi nga SPAK dhe institucione të tjera që duhet të kontrollojnë edhe vetë sistemin e drejtësisë, pse dosje të vitit 2019, që datojnë me krijimin e SPAK, as të kësaj dite nuk janë nxjerrë dhe nuk janë hetohur me prioritet. Sepse këto janë dosje që të çojnë ose tek Rama, ose tek Balluku.
Problemi i fundit që kam ngritur në lidhje me këtë kallëzim penal është lidhur me rolin e Bankës së Shqipërisë. Çfarë roli ka BSH në kuptim të kontrollit të tregut brendshëm, të kontrollit të transfertave bankare, pastrimit të produktit të veprave penale, sepse jemi të gjithë dëshmitarë se si është raporti i monedhave të huaja në vendet fqinje dhe se si është raporti i monedhës shqiptare me euron. Ky shfuqizim i monedhës ka ardhur sepse është fuqizuar leku shqiptar për disa faktorë ekonomikë? Jo, dukshëm janë elementet ku evidentohet se këtu hyjnë para të pista që pastrohen nëpërmjet ndërtimit të kullave...