Marc Márquez para GP-së së Mandalika-s: Dua të pushoj, por duhet të jap maksimumin dhe të mos bëj gabime

Pas triumfit të madh në Japoni, ku siguroi matematikisht titullin e nëntë kampion bote, Marc Márquez zbarkon në Indonezi për Çmimin e Madh të Mandalika-s i lodhur, por i vendosur për të mbyllur sezonin me dinjitet.

“Jam më i lodhur se kurrë – pranoi piloti i Ducatit për ‘Marca’. - Energjitë e mia kanë rënë, sepse arrita objektivin kryesor dhe adrenalina ka zbritur. Do të shohim nëse arrijmë të rikuperojmë gjatë fundjavës. Është e vërtetë që do të doja të pushoja pak, por jemi sërish në pistë dhe tani dua vetëm ta shijoj. Kam pasur shumë presion këtë sezon, ndaj do të përpiqem të jap maksimumin. Qëllimi kryesor është të mos bëj gabime të kota, sepse kur bie adrenalina bie edhe përqendrimi.”

Në Mandalika, një pistë ku ashtu si në Portimao nuk ka arritur ende të fitojë, Márquez e sheh veten më pak të etur për rezultat me çdo kusht:

“Nëse dal i dyti ose i treti është mirë. Për mua është e rëndësishme të menaxhoj garat pa marrë rreziqe të panevojshme.”

Megjithatë, spanjolli tashmë e ka mendjen te e ardhmja:

“Po, kjo fundjavë shënon fillimin e punës për sezonin 2026. Duhet të provojmë ndryshime në aset, të eksperimentojmë me gjithçka që mundemi, për të hyrë sa më të përgatitur vitin tjetër.”

I pyetur për rivalët e tij më të mëdhenj, Márquez përmendi Valentino Rossin, por me një saktësim:

“Me Rossin nuk kemi luftuar kurrë për një titull botëror. Kur isha në atë pozitë, rivalët e mi më të fortë ishin Lorenzo dhe më pas Dovizioso.”

Në Mandalika, Márquez nuk ka më nevojë të provojë asgjë – ai tashmë është kampion i padiskutueshëm i botës – por do të vazhdojë të kërkojë perfeksionin, duke ndërtuar bazat për një tjetër vit historik në MotoGP.