SYRI TV/ SPAK: Edmir Bregu u vra për hakmarrje për atentatin ndaj Aldo Avdylit, vëllai i deputetit socialist e ndihmoi

Një grup i strukturuar kriminal në fushën e vrasjeve dhe tjetërsimit të pronave është goditur nga Prokuroria e Posaçme. Nga 11 masa sigurie, 7 janë ekzekutuar, ku mes tyre janë emra të njohur të botës së krimit. SPAK ka zbardhur vrasjen e Edmir Bregut, i cili është ekzekutuar me urdhër të Astrit Avdylit për shkak të një atentati ndaj nipit të tij, Aldo Avdylit.

Astrit Avdylit i është komunikuar masa e sigurisë në burg, ndërkohë që në kërkim është shpallur edhe Pëllumb Muharremi, i njohur si "Rrumi i Shijakut", pasi kishte ngritur një grup kriminal për vjedhjen dhe tjetërsimin e pronave në zonën bregdetare të Durrësit. Pjesë e këtij grupi rezulton edhe Enea Kume, vëllai i deputetit socialist të Durrësit, Loer Kume, i cili ka marrë pjesë në ekzekutimin e Edmir Bregut.

Nga SYRI TV

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur vrasjen e Edmir Bregut, i njohur ndryshe si Ilir Kuçi ose Maloku, si dhe një skemë të mirëorganizatruar kriminale për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Durrësit, me drejtues Aleksandër Lahon, ndryshe Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi i Shijakut”. Vrasja e Bregut, sipas SPAK, u urdhërua nga Astrit Avdyli në shenjë hakmarrje për një atentat të dështuar ndaj nipit të tij, Aldo Avdyli, alias Elidon Avdyli. Pjesë e këtij grupi kriminal rezulton edhe Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume.

Në lidhje me faktin tjetër penal, të tjetërsimit të pronave, shtetasi Aleksandër Laho, në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka formuar një grup të strukturuar kriminal, ku bëjnë pjesë shtetasit: Vullnet Muça (vëllai i Aleksandër Lahos), Agron Bejdolli, Vllash Brahja dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar.

“Mekanizmi i përdorur përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), falsifikimin e pjesshëm të AMTP-ve origjinale, përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimin e dokumenteve të falsifikuara dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish-ZVRPP Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës. Po ashtu, ka pasur heqje të fletëve të regjistrave të kartelave të pasurisë, ku ishin të regjistruara prona të zërit kadastral “Pyll” dhe “Pa frut”, dhe zëvendësimin e tyre me fletë të reja të falsifikuara në formë dhe përmbajtje.

Sipas SPAK, pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, regjistroheshin në emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët, në pjesën më të madhe të rasteve, nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive.

Nga 11 masa sigurie, në total, 7 janë ekzekutuar. Gjithashtu, janë sekuestruar 254 mijë metra katrorë tokë në zonën bregdetare të Shetajt.

Në pranga janë vënë:
Vullnet Muça - vëllai i Aleksandër Lahos
Enea Kume, - vëllai i deputetit socialist të Durrësit, Loer Kume
Agron Bejdolli - shoferi i “Rrumit”,
Vllash Brahja
Astrit Avdyli (i arrestuar më herët),
Eshtë vendosur ndalim jashtë vendit për Ermira Avdylin.
Në kërkim janë
Aleksandër Laho
Aldo Avdylaj
Alfred Doka