Zbardhet drafti i KQZ: Vetëm një javë fushatë për zgjedhjet 9 nëntorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka propozuar Komisionit Rregullator datën 1 nëntor si fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashkitë e vendit: Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë. Zgjedhjet janë planifikuar të zhvillohen më 9 nëntor 2025, me dekret të presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Sipas draftit të vendimit të Komisionit Rregullator, partitë politike duhet të dorëzojnë kërkesën për regjistrim si subjekte zgjedhore deri më 11 tetor, ndërsa koalicionet kanë afat deri më 16 tetor për dorëzimin e kërkesave për regjistrim.

Për kandidatët, afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve të kandidimit është data 19 tetor. Dokumentet paraqiten në KQZ për bashkitë Tiranë, Vlorë dhe Berat, dhe në KZAZ për bashkitë Tepelenë, Cërrik dhe Mat.

Ndërkohë, Zyra e Gjendjes Civile është propozuar të përgatisë listat e zgjedhësve jo më vonë se më 6 tetor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Zgjedhjet në këto bashki vijnë pas ndryshimeve të fundit në drejtuesit e tyre. Bashkitë Mat, Tepelenë dhe Berat janë liruar nga kryetarët e mëparshëm, të cilët tashmë janë pjesë e Kuvendit. Bashkia e Vlorës mbeti pa kryetar pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, ndërsa kryetari i bashkisë së Cërrikut u emërua ministër i Bujqësisë. Bashkia e Tiranës gjithashtu shkon në zgjedhje, pavarësisht ankimimit të kryetarit aktual, Erion Veliaj, në Gjykatën Kushtetuese lidhur me shkarkimin e tij.

Presidenca ka njoftuar se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve nuk pengohet nga ky ankim, pasi pezullimi i shkarkimit do të mund të ndodhte vetëm në rast se Veliaj do të kishte ankuar në një gjykatë administrative dhe jo në Kushtetuese.