SYRI TV/ Rikthehet ‘Ferma e Kafshëve’ e George Orëell-it, një alegori e fuqishme mbi pushtetin dhe lirinë
Shfaqja “Ferma e Kafshëve” e George Orwell-it, nën regjinë e Driada Dervishit rikthehet në Arturbina për katër netët e fundit më 2-5 tetor. Një alegori e fuqishme mbi pushtetin dhe lirinë, që edhe sot mbetet pranë realitetit tonë.
Syri TV
Pas netëve të suksesshme, skena e Arturbina-s mirëpret edhe për katër netët e fundit shfaqjen “Ferma e Kafshëve” të George Orwell-it, nën regjinë e Driada Dervishit.
Një prej alegorive më të fuqishme të shekullit XX, romani i Orwell-it sjell historinë e një ferme ku kafshët ngritën kundër njeriut për të ndërtuar një botë të drejtë e të barabartë. Por idealet e lirisë dhe barazisë shndërrohen shpejt në tirani, duke e kthyer fermën në pasqyrë të çdo sistemi ku pushteti korrupton.
Në skenën shqiptare, ky vizion merr jetë përmes një trupe që risjell aktualitetin e kësaj vepre. Sa pranë jemi ende sot realitetit të saj? “Ferma e Kafshëve” nuk mbetet vetëm një metaforë për diktaturat e së shkuarës, por edhe një paralajmërim i gjallë për mekanizmat e pushtetit që përsëriten në shoqëri bashkëkohore.
Me regjinë e Driada Dervishit, shfaqja vjen si një ftesë për reflektim mbi shoqërinë, lirinë dhe kufijtë e demokracisë.