SYRI TV/ SPAK zbarkon në Durrës dhe në Shijak, arrestohet Enea Kume, vëllai i deputetit të PS

SPAK ka zbarkuar në Durrës në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, në kuadër të dy dosjeve hetimore: një për tjetërsim pronash dhe një për vrasje. Janë lëshuar 8 urdhër-arreste, ndërsa në rrjetën e të arrestuarve kanë përfunduar 3 persona.

Në një dosje hetimore për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit, i arrestuari i parë është Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume, i zgjedhur në listat e mbyllura në zgjedhjet e 11 Majit. Emri i tij ishte lakuar nga opozita si i përfshirë nga grupe kriminale në Durrës. Loer Kume ndodhej në një studio televizive live kur doli lajmi për arrestimin e vëllait të tij dhe u shpreh se pret që drejtësia të flasë.

I arrestuari tjetër është Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, i cili dyshohet se ndodhet në Gjermani dhe është në kërkim ndërkombëtar. Vullnet Muça u arrestua pak ditë më parë për kanosjen e Drejtorit të Spitalit të Durrësit, me qëllim punësimin e mbesës së tij.

I treti i arrestuar në kuadër të kësaj dosjeje është Vlash Draxhi.

Syri TV mëson se një urdhër-arrest është lëshuar edhe për Aleksandër Lahon, alias Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi”, i akuzuar për tjetërsim pronash dhe grup kriminal, i cili ndodhet në kërkim. Autoritetet kanë indicie se Rrumi i Shijakut është kthyer nga Gjermania.

Të akuzuarit e tjerë janë:

Astrit Avdyli, nën akuzë për vrasje dhe grup kriminal, aktualisht në burg për krime të tjera.

Aldo Avdyli, nën akuzë për vrasje dhe grup kriminal, në kërkim.

Edlira Avdyli, ndaj së cilës është marrë masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.

Anëtarët e kësaj familjeje janë të përfshirë në një seri ngjarjesh kriminale dhe kanë qenë personazhe kyç në Dosjen 339, ku janë përgjuar bashkë me Vangjush Dakon për tjetërsim votash në zgjedhje.