Operacioni për tjetërsimin e pronave/ Në pranga vëllai i deputetit të PS-së dhe vëllai i ‘Rrumit të Shijakut’
Tjetërsimi i Pronave në zonën bregdetare të qarkut të Durrësit ka çuar në pranga disa persona gjatë ditë së sotme.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar një aksion në qytetin e Durrësit. Deri më tani janë lëshuar 9 masa sigurie.
Burime për Syri kanë bërë me dije se në pranga ka rënë Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Loer Kume.
Ky i fundit është betuar në Kuvendin e Shqipërisë si deputet më 18 shtator pas marrjes së mandatit në qytetin e Durrësit. Enea Kume akuzohet për tjetërsim pronash në zonën e Gjirit të Lalzit.
Gjithashtu i arrestuar është dhe Vullnet Muça, i cili është vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si ‘Rrumi i Shijakut’.
Burimet bëjnë me dije se në kuadër të këtij operacioni janë ushtruar kontrolle edhe në shtëpinë e Aleksandër Lahos, i njohur si Rrumi i Shijakut. Ai nuk është gjetur në banesë, ndërsa autoritetet kanë pasur indicie se është kthyer nga Gjermania.