'Dekreti i presidentit për Bashkinë Tiranë', Logu: Nuk mund të ketë interpretim personal të Kushtetutës, shkelje e rëndë e ligjit
Marash Logu, përfaqësues ligjor për PD nga studioja e “Kafe Shqeto” tha se dekreti i presidentit të Shqipërisë për shkarkimin e kryetarit të një bashkie është antikushtetues dhe bie ndesh me parimet themelore të Kushtetutës.
Në një analizë të detajuar për publikun, Logu thekson se çdo ligj dhe çdo akt i organeve të pushtetit duhet të zbatojë Kushtetutën në mënyrë të qartë dhe të paanshme.
Sipas tij, vendimi i presidentit që synon të caktojë një datë të re zgjedhjesh për një kryetar bashkie të shkarkuar para përfundimit të shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese nuk ka bazë ligjore dhe cenon drejtësinë institucionale.
Ai sqaron se Kushtetuta nuk lejon interpretime të ndryshme sipas dëshirës personale të një organi dhe çdo veprim që bie ndesh me nenet kushtetuese, përfshirë nenin 115 për shkarkimin e kryetarit të bashkisë për shkelje të rëndë të ligjit apo detyrës, konsiderohet i pavlefshëm.
Logu nënvizon se qëndrimi i presidentit, sipas të cilit ligji ka shkaqe të tjera nga ato që parashikon Kushtetuta, tregon jo vetëm mungesë njohurie juridike, por cenon edhe funksionimin normal të institucioneve.
"Qëndrimi që ka mbajtur presidenti i republikës, që thotë se ligji ka shkaqe të tjera nga ato që ka Kushtetuta, në fakt, përveç se tregon injorancë totale juridike, sepse çdo ligj duhet të dalë në bazë dhe në zbatim të Kushtetutës, nuk mund të mendohet që në një shtet të së drejtës ka ligje që bien në kundërshtim me Kushtetutën ose se ligji parashikon shkaqe të tjera veç asaj që ka parashikuar Kushtetuta për një organ kushtetues"- theksoi Logu.
Marash Logu:
"Së pari, sa i përket dekretit të presidentit të Shqipërisë, në vlerësimin tonë besoj se të gjithë juristët dhe minimumi njerëzit që kanë formimin juridik, shohin një dekret antikushtetues, sepse është e qartë dhe Kushtetuta nuk ka qenë 'ambigue' në kuptimin që secili mund të bënte interpretimin sipas dëshirës së tij apo mund të kishte diskutime mes juristëve.
Kjo ka qenë shumë e qartë që në momentin kur një organ është shkarkuar, pra kur kryetari i bashkisë shkarkohet nga detyra dhe ZELL vendos të ankohet në Gjykatën Kushtetuese, vendimi pezullohet, çka nuk i jep mundësi presidentit të republikës deri në përfundim të Gjykatës Kushtetuese për të nxjerrë apo dekretuar një datë të re të zgjedhjeve.
Qëndrimi që ka mbajtur presidenti i republikës, që thotë se ligji ka shkaqe të tjera nga ato që ka Kushtetuta, në fakt, përveç se tregon injorancë totale juridike, sepse çdo ligj duhet të dalë në bazë dhe në zbatim të Kushtetutës, nuk mund të mendohet që në një shtet të së drejtës ka ligje që bien në kundërshtim me Kushtetutën ose se ligji parashikon shkaqe të tjera veç asaj që ka parashikuar Kushtetuta për një organ kushtetues.
Ne kemi nenin 115 që thotë se kryetari i bashkisë shkarkohet kur shkel rëndë Kushtetutën apo ligjin, dhe në vetvete kjo në fund nuk ka qenë ezauruese se cilat janë ato shkelje të ligjit që çojnë në shkarkimin e kryetarit të bashkisë.
Fakti që një kryetar bashkie nuk paraqitet për 3 muaj në detyrë, qartazi ka shkelur ligjin dhe përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi nuk po përmbush detyrën e tij".