SPAK do të hetojë Ramën/ Llangozi: Ja si Ledion Mziu sfidoi sistemin për mbrojtjen e pronës tek ‘5 Maji’

I ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, avokati Arben Llangozi ka treguar historinë e Ledion Mziut, një qytetar i guximshëm që nuk u tërhoq përballë padrejtësisë që iu bë nga qeveria e Ramës. Që në momentin kur prona e tij në zonën e “5 Majit” iu cenua, ai vendosi të ndjekë rrugën ligjore deri në fund, duke përballuar shpërfilljen institucionale, zvarritjet procedurale dhe vendimet e njëpasnjëshme të shtrembëruara. Sot, pas një kalvari prej më shumë se katër vitesh, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar çështjen, duke hapur rrugën për zbardhjen e një skeme që, sipas avokatit, fshihte interesa private të lidhura ngushtë me qeverinë, nën petkun e një projekti publik.

Arben Llangozi: Ledion Mmiu është një djalë i guximshëm. Që në momentet e para që i është cenuar prona, i është drejtuar institucionit të Prokurorisë së Posaçme dhe me këmbëngulje ka kërkuar ndjekjen hap pas hapi të kësaj çështje. Ka qenë një kalvar i gjatë, për arsye se që në vitin 2021 ka depozituar kallëzim penal në SPAK. Më pas, prokuroria e posaçme nuk e ka regjistruar fare si material kallëzues. Ka shpallur moskompetencën, e ka dërguar në Prokurorinë e Tiranës e cila e ka mbajtur dosjen aty për rreth 3 vjet dhe më pas ka kërkuar pushim. Pasi ka kërkuar pushim, Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullim, duke mos qenë dakord me këtë vendim, i jemi drejtuar gjykatës së Apelit të juridiksionit të Përgjithshëm e cila vendosi prishjen e vendimit dhe e konstatoi si të pavlefshëm pasi ishin të kallëzuar subjekte që nuk kishin lidhje me hetimin nga prokuroria e Tiranës dhe në gjykim me pjesëmarrjen e prokurorit dhe time, është kërkuar që çështja të kthehej për hetim dhe është vendosur nga gjykata për kthim hetim.

Prokurori ka këmbëngulur që çështja duhet të hetohej dhe aktualisht kjo çështje, ditën e djeshme është regjistruar nga Prokuroria e Posaçme dhe pritet të vijohen hetime të mëtejshme. Është pretenduar se në këtë zonë (5 Maji) nuk është se ka një interes publik. Gjatë gjithë proceseve ka rezultuar se aty është duke u ndërtuar nga subjekte tregtare private që janë të lidhura ngushtë me qeverinë. Dhe kjo cenon drejtpërdrejtë atë VKM, e nxjerrë për interes publik.

I është marrë prona gjithë lagjes ‘5 Maji’ në këmbim të interesave private të lidhura me qeverinë. Ledion Mziu ka fituar procesin gjyqësor ndaj Bashkisë së Tiranës dhe gjykata ka urdhëruar që ti kthehet pasuria, por problemi qëndron tashmë që ajo pasuri është prisur dhe do të konvertohet në objekt. I kemi kërkuar Bashkisë gjithmonë të na vinte në dispozicion projektin që do të zhvillohej aty, por nuk na e vuri asnjëherë. Dhe këtu lindi dyshimi i arsyeshëm për t’iu drejtuar prokurorisë së Posaçme dhe gjykatës që këtu janë duke u zhvilluar...