Një natë protestash në Itali pas ndalimit të ‘Global Sumud Flotilla’ nga Izraeli

Roma, Milano, Napoli, Torino, Bolonja, Gjenova dhe dhjetëra qytete të tjera italiane u përfshinë nga protestat mbrëmjen e djeshme, pas lajmit për ndalimin në Mesdhe të flotës “Global Sumud Flotilla” nga marina izraelite.

Flota, e përbërë nga dhjetëra anije me aktivistë ndërkombëtarë që synonin të çanin bllokadën e Gazës përmes një misioni humanitar, u ndalua në ujëra ndërkombëtare. Mes të ndaluarve janë edhe aktivistja suedeze Greta Thunberg, senatori italian Marco Croatti (M5S) dhe eurodeputetja Benedetta Scuderi (Avs).

Croatti deklaroi në një video se ishte “rrëmbyer kundër vullnetit të tij nga forcat izraelite”, ndërsa Scuderi foli për “një akt piraterie” dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar detar.

Sipas organizatorëve të flotiljes, 13 anije me mbi 200 pjesëmarrës nga 37 vende janë ndaluar, ndërsa të tjera rreth 30 anije vijojnë përpjekjet për të arritur brigjet e Gazës.

Protesta masive në Itali

Pas lajmeve nga Mesdheu, mijëra njerëz dolën në rrugë në të gjithë Italinë.

                •             Në Romë, rreth 10 mijë persona marshuan nga Piazza dei Cinquecento drejt qendrës historike, duke kërkuar ndalimin e bashkëpunimit me Izraelin. Disa hyrje të stacionit Termini u mbyllën përkohësisht.

                •             Në Milano, protestuesit okupuan stacionin Cadorna.

                •             Në Napoli, Pisa dhe Torino, manifestuesit bllokuan linjat hekurudhore duke u ulur mbi shina. Në Bolonjë, mijëra njerëz kërkuan dorëheqjen e qeverisë Meloni para Prefekturës. Në Gjenova, sindikata USB organizoi një bllokim të portit me thirrjen “Bllokojmë portin”. Manifestime u zhvilluan gjithashtu në Palermo, Bari, Firence, Livorno, Novara dhe Siena.

Për sot janë paralajmëruar të tjera protesta dhe grumbullime, ndërsa për nesër sindikatat CGIL dhe USB kanë shpallur një grevë të përgjithshme kombëtare. Ministri i Transportit Matteo Salvini po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes për të kufizuar grevën, duke e quajtur atë “të papërgjegjshme”.

Ndërkohë, Parlamenti italian pritet të diskutojë sot mbi krizën në Lindjen e Mesme, me komunikimet e ministrit të Jashtëm Antonio Tajani dhe me votime mbi rezolutat e forcave politike, përfshirë edhe çështjen e njohjes së shtetit të Palestinës dhe planin amerikan për paqe./ Alba Kepi/