Plani i Paqes për Gazën/ Shtuni: Rrezikon koalicionin e brishtë të Netanyahut, Izraeli mund të futet në kolaps politik
Plani i Paqes për Gazën, pavarësisht dakordësisë së arritur nga Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin amerikan, Donald Trump, rrezikon që kryeministrit izraelit t’i kthehet në një bumerang.
Në një intervistë për edicionin e mbrëmjes në Syri Tv, Adrian Shtuni, ekspert për çështjet ndërkombëtare thotë se plani i Paqes, shkon përtej Gazës, pasi konflikti Izrael-Palestinë është një problem jo vetëm rajonal, por edhe global.
Sipas tij, pavarësisht pritshmërive nga liderët e tjerë botërore, vendet arabe dhe Bashkimi Evropian, implementimi i Planit të Paqes në vetvete paraqet shumë sfida.
Për Shtunin, rezerva të mëdha priten edhe nga politika në Izrael, që pavarësisht miratimit në parim nga Netanyahu, koalicioni i tij i brishtë mund ta fusë vendin në kolaps politik, për shkak të partive të ekstremit të djathtë në qeverisje, që nuk e pranojnë një plan të tillë, e aq më tepër njohjen e shtetit të Palestinës.
Ky plan shkon përtej Gazës, është problem rajonal dhe global. Plani, është shumë i rëndësishëm, është një plan paqeje që është punuar shumë. Ka potencial të mirë, që sjell fundin e konfliktit Palestinë –Izrael, që është i gjatë dhe i përgjakshëm, he ka rrjedhoja pozitive për stabilitetin e Lindjes së Mesme. Ka potencial të ndalojë gjakderdhjen, plan, tashmë i mbështetur në mënyrë të gjerë nga të gjithë, e ka pranuar Izraeli, Autoriteti Palestinez, vendet arabe dhe i kanë kërkuar Hamas ta pranojë dhe janë të gatshëm për implementimin e tij, të njëjtën gjë ka bërë edhe BE. Ka mbetur vetëm Hamas për ta pranuar, për hatër të ndalimit të gjakderdhjes së popullsisë palestineze.
Kemi parë shumë herë më parë me planet e tjera të paqes që s’janë zbatuar. Kanë kaluar 32 vjet, nga marrëveshja e ‘93 e Oslos me AP që ka lënë shumë për të dëshiruar në dekada. Problem është implementimi, një nga problemet e planit, është përgatitur pa pjesëmarrjen e palestinezëve e konsultimet me ta. Hap një derë për debat e refuzim të planit. Një nga sfidat më të mëdha, është mungesa e një alternative qeverisëse të Palestinës, nëse do kishte alternativë të fortë, AP s’është i besueshëm, Abbas është i kritikuar për korrupsion. Plani, pritet si parakusht të reformohet AP që t’i hapet rruga krijimit të shtetit të Palestinës.
Frikë tjetër qëndron tek Izraeli, ka kundërshtime, edhe pse u pranua nga Netanyahu dhe ka problem se koalicioni i tij është i brishtë me elementë të ekstremit të djathtë, që s’e pranojnë tërheqjen totale të IDF nga Gaza dhe s’e pranojnë shtetin e Palestinës. Mund të ketë krizë e kolaps politik në Izrael me pasoja në implementimin e planit të paqes. Në plan flitet për forcë ndërkombëtarë paqëruajtëse. Janë komplekse si operacione për krijimin e një shteti, krijojnë mund e vullnet politik nga palët që do të jenë përfituesit e këtij lloji plani e force, që do operojë aty. Vullnet politik nga ata të cilët do të qeverisen, dhe këtu qëndron kompleksiteti i planit.