'Faqe e zezë e kapjes së shtetit', Gjekmarkaj: Presidenti, noter politik i Kryeministrit në dekretimin e Tiranës
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, në një reagim të fortë në rrjetet sociale, kritikoi ashpër dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë. Sipas Gjekmarkajt, ky akt përbën “një faqe të zezë në kronikën e kapjes së shtetit” dhe një veprim që shërben interesave të Kryeministrit, jo demokracisë.
Ai e akuzoi Presidentin se ka hequr dorë nga roli i tij si simbol i unitetit kombëtar dhe është shndërruar në noter politik të mazhorancës, duke futur procesin zgjedhor në një labirint kushtetues pa dalje. Për Gjekmarkajn, dekreti është jo reflektim institucional, por pasojë e urdhrave partiakë, duke dëshmuar kapjen totale të institucioneve dhe shkelje flagrante të Kushtetutës.
Postimi:
“Presidenti në rolin e noterit politik, Dekreti për Tiranën, një faqe e zezë në kronikën e kapjes së shtetit”
Tirana ka parë shumë dekada të trishta, por dekretimi i sotëm për zgjedhje të pjesshme pa një bazë kushtetuese të qartë është një akt që nuk i shërben demokracisë, por interesave të një njeriu të vetëm, Kryeministrit !
Presidenti Bajram Begaj sot ka zgjedhur të mos jetë simbol uniteti kombëtar, por noter i mazhorancës. Në vend që të garantojë funksionimin normal të institucioneve, ai ka përqafuar rolin e interpretuesit selektiv të dëshirave të Kryeministrit, duke e futur procesin zgjedhor në Tiranë në një labirint kushtetues pa dalje.
Akti i tij është një përkulje, jo ndaj ligjit, por ndaj frikës politike që ka kapluar qeverinë. Dekreti i sotëm nuk është produkt reflektimi institucional, por pasojë e një urdhri partiak të marrë në një zyrë ku mungon fryma republikane.
E përsëris: nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme kur për dekretet vendoset me telefon, jo me kushtetutë. Tirana meriton më shumë se sa një farsë të orkestruar nga pushteti që kërkon të mbijetojë mbi rrënojat e shtetit ligjor.
Bajram Begaj na e futi te gjithëve per tejkalim të fantazise!
Historia do ta mbajë mend këtë ditë jo për drejtësinë e saj, por për shkeljen brutale të çdo norme kushtetuese.