SKANDAL/ Djali i shefit të Krimeve në Përmet kërcënoi gazetarin, policia e liron pas ndalimit
Një ngjarje skandaloze është regjistruar sot në Gjirokastër, ku gazetari Pirro Nase është kërcënuar për shkak të detyrës nga Boris Çenko, 21 vjeç, djali i shefit të Krimeve në Komisariatin e Përmetit, Dhurim Çenko.
Sipas kallëzimit të bërë nga Nase, ai është fyer dhe kanosur përmes telefonit celular, gjë që detyroi ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë së Gjirokastrës.
Në një reagim zyrtar, policia bëri të ditur se Çenko u shoqërua në komisariat, por pas kryerjes së veprimeve procedurale u lirua, duke u proceduar vetëm penalisht në gjendje të lirë.
‘Strukturat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas kallëzimit të bërë sot nga shtetasi Pirro Nase, 51 vjeç, banues në Gjirokastër, me profesion gazetar, se është fyer e kanosur nëpërmjet celularit, për shkak të detyrës, nga shtetasi Boris Çenko, kanë reaguar menjëherë duke shoqëruar në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, shtetasin Boris Çenko.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, duke u konsultuar dhe duke e vlerësuar rastin me prokurorin e gatshëm, proceduan penalisht shtetasin Boris Çenko, 21 vjeç, banues në Gjirokastër.
Materialet procedurale për rastin i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.’, thuhet në njoftimin e Policisë.