Një vit apo tre? Kush do ta paguajë faturën për murin me dronë? Udhëheqësit e BE-së duken të ndarë
Një seri shkeljesh të hapësirës ajrore në të gjithë BE-në i ka shtyrë planet për një të ashtuquajtur mur kundër dromëve, në krye të agjendës së takimit të udhëheqësve të BE-së në Danimarkë.
Sa kohë do t’i duhet Evropës për të ndërtuar një mur kundër dronëve? Dhe si duhet të financohet ai? Udhëheqësit e BE-së që mbërritën në Kopenhagen të mërkurën për të diskutuar mbrojtjen evropiane, duket se kishin pikëpamje krejtësisht të ndryshme, me ndarjen tradicionale gjeografike që vazhdon të qëndrojë e fortë mbi këtë aspekt të papritur, por të shumëpritur kyç të sigurisë evropiane.
Vendet baltike dhe veriore e kanë përqafuar projektin dhe kanë bërë thirrje për unitet dhe solidaritet, pas një serie shkeljesh të hapësirës ajrore në javët e fundit në Poloni, Estoni, Rumani dhe Danimarkë.
Evika Siliņa, kryeministrja e Letonisë, për shembull, u tha gazetarëve se beson që një mur me dronë përgjatë krahut lindor, mund të jetë “i realizueshëm” brenda “një viti, një viti e gjysmë”.
Kjo bie ndesh drejtpërdrejt me komentet e bëra më parë këtë javë në Forumin e Sigurisë në Varshavë nga Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, për të cilin një projekt i tillë nuk do të "realizohej në tre deri në katër vitet e ardhshme".
Por kryeministrja letoneze është i sigurt se "mund ta bëjmë në një kohë shumë më të shkurtër, varet vetëm nga udhëheqësit", duke shtuar se me teknologjinë e dronëve që përparon me një ritëm kaq të shpejtë, tre vjet "është shumë kohë".
Shteti i saj baltik ka filluar tashmë të investojë në sensorë dhe sisteme zanore, duke ndjekur këshillat e Ukrainës, dhe ka hequr disa barriera burokratike.
"Do të jemi më të fortë nëse punojmë së bashku, dhe Evropa duhet të koordinohet", shtoi ajo.
'Na duhen veprime'
Presidenti lituanez, Gitanas Nauswda bëri thirrje gjithashtu për veprime urgjente, duke theksuar se vendi i tij, i cili kufizohet me Rusinë, ka "deficite të konsiderueshme" kur bëhet fjalë për të qenë në gjendje të zbulojë dhe shkatërrojë mjete ajrore pa pilot (UAV) të paidentifikuara.
“Fatkeqësisht, duhet të them se një ide shumë e mirë e sistemeve të mbrojtjes ajrore me rotacion, të përfshira në dokumentet e NATO-s, nuk po funksionon. Sepse kishim vetëm dy elementë, raketat Patriot holandeze dhe sistemin e mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër veprimi nga Italia, për disa javë që nga viti 2023”, u tha ai gazetarëve.
"Ne kemi nevojë për veprime. Sigurisht, ne e vlerësojmë diskutimin, por këto diskutime duhet të çojnë në kapacitete, në aftësi. Dhe për këtë na duhen burime financiare", tha ai.
Kryeministri finlandez Petteri Orpo, vendi i të cilit ndan një kufi prej 1,300 km me Rusinë, ndërkohë e përshkroi një mur kundër dromëve, si "të pashmangshëm" dhe "një çështje për të gjithë Evropën".
"Tani është koha për të treguar solidaritet për Evropën Lindore dhe Veriore, në emër të sigurisë", tha ai gjithashtu.
Kaja Kallas, ish-udhëheqësja estoneze, e cila tani është shefe e politikës së jashtme të bllokut, nënkuptoi gjithashtu se një mur kundër dronëve mund të ngrihet shpejt.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, e cila mori pjesë në një takim javën e kaluar midis shteteve anëtare lindore mbi një mur dronësh, tha se autoritetet ukrainase mund të "tregojnë se çfarë lloj sensorësh ju nevojiten, çfarë lloj linjash të ndryshme ju nevojiten dhe ata gjithashtu kanë prodhimin e dronëve në Ukrainë dhe kjo mund të zgjerohet edhe në Evropë".
"Pra, nëse ka vullnet, ka rrugë dhe mund ta bëjmë edhe më shpejt, por sigurisht që kërkon fonde", u tha ajo gazetarëve.
Çfarë përbën mbrojtje?
Më herët këtë vit, Komisioni Europian paraqiti atë që e quan një paketë prej 800 miliardë eurosh për të riarmatosur Europën para fillimit të dekadës, kur disa agjenci inteligjence besojnë se Rusia mund të ketë mjetet për të sulmuar një vend tjetër europian.
Por shtetet anëtare në fakt do të duhet të gërmojnë thellë në arkat e tyre për pjesën më të madhe të këtyre parave me vetëm 150 miliardë euro në fonde evropiane, në formën e kredive, në kuadër të një programi të quajtur SAFE. Dy të tretat e zarfit iu ndanë shteteve anëtare lindore.
Synimet e iniciativave të ndryshme janë që shtetet anëtare të bëjnë furnizime të përbashkëta, të investojnë në të ashtuquajturat projekte kryesore të mbrojtjes dhe, mundësisht, të blejnë produkte evropiane. Ekzekutivi i BE-së ka propozuar që një mur kundër dromëve, të jetë pjesë e atyre projekteve kryesore që duhet të prioritizohen.
Komisioni ka propozuar gjithashtu një rritje masive të alokimeve për mbrojtjen në buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të bllokut që do të fillojë nga viti 2028.
Por debati ka treguar se shtetet anëtare në lindje dhe ato në jug kanë një pikëpamje krejtësisht të ndryshme për atë që përfshijnë siguria dhe mbrojtja dhe sa urgjente është ajo.
Një fakt që Pedro Sanchez dhe Giorgia Meloni e riafirmuan të mërkurën, me udhëheqësin spanjoll që u tha gazetarëve se emergjenca klimatike është një "aspekt sigurie, (që) do të përfshihet edhe nga qeveria e Spanjës në këtë debat".
Ndërkohë, kryeministrja italiane Meloni tha se "duhet të kujtojmë se kufijtë e aleancës janë shumë të gjerë, kështu që nëse bëjmë gabimin të shikojmë vetëm anash dhe harrojmë, për shembull, se ekziston një krah jugor, rrezikojmë të mos jemi vendimtarë".
Por për Nauswdën e Lituanisë, qëndrimi i tyre nuk e kupton thelbin.
“Kjo është detyra jonë, detyra e vendeve të Evropës Lindore, të sjellim këtë energji në dhomë, këtë mirëkuptim, ndërgjegjësim në dhomë dhe të bindim kolegët tanë, të cilët ndoshta janë në një distancë më të madhe nga armiqtë, se kjo nuk ka të bëjë vetëm me kufijtë tanë kombëtarë”, tha ai.
"Kjo ka të bëjë me kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian. Ne jemi vija e parë mbrojtëse e Evropës."
Ky mendim u pasqyrua nga Mette Frederiksen, kryeministrja daneze dhe mikpritëse e samitit, e cila u bëri thirrje kolegëve të saj udhëheqës, që “të lënë perspektivën tonë kombëtare (kur) flasim për sigurinë në Evropë dhe të shohin modelin me luftën hibride që po ndodh”.
"Nëse e shikoni Ukrainën nga një perspektivë evropiane në vend të një perspektive kombëtare, nëse e shikoni Rusinë dhe luftën hibride nga një perspektivë evropiane në vend të perspektivës suaj kombëtare, atëherë mendoj se të gjithë duhet të jenë në të njëjtën faqe, se duhet të riarmatosemi të gjithë", tha ajo./ Euronews.