Kalaja paralajmëron: Nesër kallëzim penal në SPAK për Ramën dhe Ballukun, skemë pastrimi parash përmes kullave në Tiranë

Në një njoftim zyrtar për mediat, Kryetarja e Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, ka bërë të ditur se ditën e nesërme, më 2 tetor, në orën 11:00, do të paraqitet në SPAK për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj Kryeministrit Edi Rama, Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe personave të tjerë të paidentifikuar, lidhur me atë që e cilëson si një skemë të mirëorganizuar të pastrimit të parave përmes ndërtimit të kullave në Tiranë.

Sipas Kalasë, kallëzimi përfshin edhe hetimin mbi studiot ndërkombëtare të arkitektëve, të përdorura si kusht për dhënien e lejeve të ndërtimit firmave të lidhura me kryeministrin, ndërkohë që çështja lidhet ngushtë me dosjen "Aruba", investigimin e “Report” të RAI3, rolin e Bankës së Shqipërisë, raportin e DASH mbi klimën e biznesit, si dhe lidhjet e dyshuara me anëtarë të kartelit famëkeq të Sinaloas.

Kalaja njoftoi gjithashtu se ky kallëzim penal do t’i përcillet edhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, si dhe do të dorëzohet në Senatin dhe Kongresin Amerikan, në kuadër të luftës për rikthimin e shtetit ligjor dhe transparencës mbi financat kriminale që po dëmtojnë Shqipërinë.

Njoftimi i plotë:

Nesër më datë 2 tetor,  ora 11.00, me cilësinë e Kryetares së  Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit pranë Partisë Demokratike, do  paraqitem në SPAK, ku do depozitoj kallëzimin penal, në ngarkim të Kryeministrit Rama, Zv. Kryeministres Balluku, si dhe çdo personi të paidentifikuar prej nesh,  lidhur me pastrimin e parave te pista nepermjet ndërtimin të kullave dhe listës së studiove ndërkombëtare të arkitektëve, që u jepen si kusht për dhënien e  lejeve të ndërtimit, firmave afër tij.

Si çështje të ndërlidhura me të janë:

1. Dosja "Aruba" dhe Ivestigimi i "Report", 1 dhe 2  të Rai 3.
2. Roli i Bankës së Shqipërisë në të gjithë këtë proces.
3. Raporti i DASH lidhur me klimën e biznesit në Shqipêri. 
4. Lufta pa kompromis e SHBA ndaj karteleve të drogës dhe pastrimit të parave. 
5. Takimi me anëtarë të Kartelit të Sinaloas.

Për këtë dhe të tjera, ftoj të gjithë mediat që vijojnë t'i shërbejnë interesit publik, të raportojnë këtë  lajm shumë të rëndësishëm.

Gjithashtu, Ju bëj me dije se ky kallëzim  shtesë, do i përcillet Ambasadës së SHBA akredituar në Shqipëri si dhe Senatit e Kongresit Amerikan.

Deri në fund për rikthimin e Shtetit Ligjor të së Drejtës.