'I shërbeu verbërisht Ramës' /Bardhi: Begaj kreu puç, futi zgjedhjet në Tiranë në ngërç kushtetues

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar me tone të ashpra pas vendimit të Presidentit Bajram Begaj për dekretimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës.

Në një deklaratë publike, Bardhi e cilëson këtë akt si një shkelje flagrante të Kushtetutës, duke theksuar se nuk ka asnjë surprizë nga një President që, sipas tij, është thjesht një zëdhënës i Edi Ramës.

"Asnjë surprizë nga Bajram Begaj!", shprehet Bardhi, duke akuzuar Kreun e Shtetit se ka rrënuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka zhytur vendin në një krizë të re institucionale. Ai e konsideron dekretin e sotëm si një puç kushtetues, që nuk ka asnjë bazë ligjore dhe që i shërben vetëm interesave të mazhorancës.

Pjesë nga deklarata:

Asnjë surprizë nga Bajram Begaj! 

Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama. Me shkeljen e rëndë që ka kryer sot ndaj Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka kryer një puç kushtetues sepse ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës. 

Zgjedhjet e pjesëshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës. Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues. 

Askush në 35 vjet demokraci nuk e ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e Kreut të Shtetit. Arsyet janë tërësisht banale: Edi Rama ka marrë peng Bajram Begajn, dhe e komandon atë njëlloj si “Diellën”!