SYRI TV/ Pastrimi i parave, apartamentet mollë e ndaluar, pronat në Tiranë më të shtrejntat në Evropë
Pastrimi i parave të drogës dhe korrupsionit në sektorin e ndërtimit ka bërë që blerja e një apartamenti në Tiranë të kthehet në një mollë të ndaluar. Çmimi mesatar për metër katror ka shkuar në 2000 mijë euro nga 820 euro për metër katror që ishte një dekadë më parë, ndërkohë që paga reale bruto është rritur me vetëm 16 mijë lekë të reja. Për të blerë këtë apartament tashmë duhen gati 19 paga vjetore reale bruto (18.6), ose gati 6 vite më shumë sesa një dekadë më parë.
Syri tv
Në një kohë që Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngritur alarmin për pastrimin e parave të narkotrafikut në Shqipëri, ku sektori i preferuar është ndërtimi, Kryeministri i vendit Edi Rama del në media dhe reklamon rritjen e çmimit të pronave.
Ndërkohë revista ekonomikë Monitor në një studim të publikuar këtë të mërkurë evidenton se Blerja e një apartamenti në kryeqytet është bërë një mision i pamundur për shumë individë, që i sigurojnë të ardhurat e tyre përmes pagës si në sektorin privat ashtu dhe në administratën publike.
Çmimet e apartamenteve vitet e fundit janë rritur me ritme shumë më të shpejta sesa pagat, duke zgjatur më shumë kohën që duhet punuar për të siguruar një shtëpi tënden.
Në vitin 2014, një apartament kushtonte mesatarisht 820 euro për metër katror, teksa , paga mesatare reale rreth 51 mijë lekë, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Një apartament 70 metra katror kushtonte rreth 56 mijë euro.
Në vitin 2024, çmimi mesatar i një apartamenti në Tiranë ishte 2100 euro për metër katror, ose gati tre herë më i lartë se një dekadë më parë.
Një apartament 70 metra katror kushton 147 mijë euro, nga 56 mijë euro një dekadë më parë. Ndonëse paga mesatare ka arritur në 77.5 mijë lekë/muaj, paga mesatare reale (e indeksuar me inflacionin, çka mat fuqinë reale blerëse) ishte 66.1 mijë lekë.
Për të blerë këtë apartament tashmë duhen gati 19 paga vjetore reale bruto (18.6), ose gati 6 vite më shumë sesa një dekadë më parë.
Në praktikë, kjo do të thotë se një i ri ose një familje që mbështetet vetëm në të ardhurat nga puna e tyre e ka gjithnjë e më të vështirë të sigurojë një shtëpi. Pabarazia midis ritmit të rritjes së çmimeve të banesave dhe rritjes së pagave po thellon problemin social të strehimit, duke i shtyrë shumë qytetarë drejt qirasë afatgjatë ose emigracionit, ku mundësitë për të blerë një shtëpi janë më reale.
Një faktor i rëndësishëm që ka frytë çmimet ka qenë dhe ekonomia informale, si pastrimi i parave, apo kërkesa e lartë që vjen nga paratë e korrupsionit.