Konstituohet Komisioni për Edukimin/ Boçi: Jam shumë krenar që përfaqësoj Shkodrën dhe Elbasanin

Mbledhja e parë e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportin nisi me thirrjen për bashkëpunim nga kryetari i komisionit, Luçiano Boçi, i cili ftoi anëtarët të kontribuojnë për ngritjen e sistemit arsimor dhe zhvillimin e shkencës e sportit në vend.

Luçiano Boçi: Ftoj secilin prej jush që është pjesë e këtij komisioni, që me përgjegjësinë, energjinë dhe respektin për njëri-tjetrin, të japim kontributin maksimal për ngritjen e Edukimit, Shkencën dhe Sportin, në lartësinë që meritojnë. 

Gjatë diskutimit, Boçi shprehu edhe vlerësimin dhe krenarinë që përfaqëson dy qytete si Shkodra dhe Elbasani, që i kanë dhënë shumë arsimit e kulturës shqiptare, në atë komision të Kuvendit.

Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, njëherësh dhe anëtar në komision, Luan Baçi, shprehu skepticizëm për funksionimin e komisionit, duke akuzuar mazhorancën se vendimet do të merren me forcën e kartonit dhe se zëri i opozitës nuk do të dëgjohet. Ai ngriti shqetësime për situatën në arsim, mbylljen e shkollave në zonat rurale, dhe pasojat që po prekin mësuesit dhe familjet shqiptare.

Luan Baçi: Unë jam i bindur që...nuk besoj se do të jetë ndonjë komision i suksesshëm, aq më tepër  referuar fjalës së zonjës Kushi kur tha që duke diskutuar dhe duke marrë vendime të përbashkëta. Unë jam i sigurt që mazhoranca juaj funksionon me urdhra dhe vendimet këtu do të jenë me forcën e kartonit. Nuk besoj që do të arrijmë ndonjëherë që ju të dëgjoni fjalën e opozitës. Asnjëherë nuk e keni dëgjuar dhe nuk besoj që ky komision të jetë i veçantë nga komisionet e tjera apo nga seancat parlamentare, ku patjetër forca e kartonit ka vepruar fuqishëm në çdo rast. Nuk besoj se do të jetë bashkëpunues si komision dhe aq më tepër nisur edhe këtyre arritjeve në thonjëza që ju i thoni, ku shkollat janë të boshatisura, ku shumë mësues janë në shqetësime shumë të mëdha në shkurtimin e orëve të mëshimit dhe daljen pa punë. Kjo ka ardhur si rezultat i mbylljes së shkollave dhe rënies së numrit të nxënësve dhe prindërit që largohen me gjithë fëmijët. Godina e shkolla në zonat rurale që kanë mbetur bosh tashmë dhe mblidhen nxënësit në shkollat e tjera.