Piramida e integrimit evropian, që po zhvillohet fatkeqësisht, si një dallavere lobimi
Departamenti amerikan i Shtetit, siç e dimë publikoi një raport të detajuar për atmosferën e biznesit dhe gjendjen e korrupsionit në Shqipëri. Në këtë përshkrim politikë që u publikua këto ditë, dukej më se e qartë se çdo fakt, detaj apo përgjithësim problemi në Shqipëri aktualisht vjen nga e vërteta, pa shtrembërime, ekzagjerime apo stërhollime. Jo se më parë organizatat që punojnë për këtë institucion nuk i janë afruar së vërtetës, por në rastin konkret dukej qartë se këto që po ndodhin në Shqipëri kanë një pasqyrim të lirë.
Ky raport i interpretuar në stilin diplomatik, sipas kulturës së institucionit më të madh politiko - diplomatik në botë, përcjell një alarm me tinguj të fortë, se krimi i organizuar dhe korrupsioni i drejtuar nga institucionet më të larta qeveritare po bëjnë kërdinë mbi demokracinë dhe qeverisjen aktuale. Edhe pse ka të tjera problematika shumë të mëdha të fshehura ose të mjegulluara nga propaganda sorosiane dhe gebelssiane e pushtetit, me të gjitha mediat private dhe publike nën zotërim, ky është raporti më i kulluar që i korrespondon të vërtetës dramatike në këto 12 vjet.
Shumë të vërteta nga manipulimi dhe heshtja e nxirosur mistike e diktatorit rendin në këtë dokument.
Regjimi i Ramës, me ndihmën e miqve tanë amerikanë, po del dal - ngadalë në pistën e shëmtërisë së tij, më i ndriçuar në dritën e diellit, ashtu siç është në të vërtetë. Do ketë me qindra probleme në radhë për tu ndriçuar në të ardhmen, por një nga ato probleme që na ndihmon për të kthyer të vërtetën në sytë e qytetarëve shqiptarë është pasqyra e madhe e integrimit.
Me një bilanc katastrofik dështimesh kreu i regjimit, të cilit nuk i ka mbetur më asgjë tjetër për të paraqitur në tregun e gënjeshtrave është kapur me thonj si i mbytur mbas imazhit të integrimit, duke shpresuar gjithmonë, se kjo pëlhurë e bardhë dhe e qëndisur me dorën manipuluese të tij do ta mbajë edhe për ca kohë gjumin e opiumit për popullin shqiptar.
Por se çfarë përfaqëson sot niveli katastrofik i integrimit evropian të Shqipërisë e thotë në mënyrë ekstra profesionale diplomacia e superfuqisë globale.
Është krejt e pa arsyeshme që Komisioni Evropian në këtë situate që jemi po ecën si një në paralele me sjelljen e qeverisë shqiptare, ndonëse sjellja e saj politike, jo vetëm që ecën ndesh me parimet e lirisë , shtetit të së drejtës dhe demokracisë, por për hir të së vërtetës në disa aspekte përbën një kërcënim edhe për vetë paqen dhe sigurinë evropiane për precedentin që krijon. Po të shfrytëzojmë si referencë deklaratat e komisionares për zgjerim znj. Marta Kos, ambasadorit Silvio Gonzato, por edhe të znj Ursula von der Leyen për të dashurin Edi, ndjehesh shumë i shqetësuar për faktin, se për çfarë arsye regjimit të krijuar në Tiranë i krihet bishti ,duke mos konsideruar shumë gjëra nga pasqyra e realitetit sidomos nga provat publike që jep opozita në mënyrë të përsëritur.
Në çdo aspekt, certifikata përfundimtare e procesit të integrimit evropian do të jetë vlerësimi i respektimit të atyre vlerave rëndësishme demokratike të cilat kanë disa tregues dhe standarde të përcaktuara.
Vlen për tu shpjeguar, se pse nga Brukseli po jepen mesazhe të pa përcaktuara qartë, të cilat bien ndesh me vet politikat e tij në raport me qeverinë aktuale shqiptar ,të bën të mendosh, se procesi është i korruptuar me element të pa ndershëm lobimi. Në qoftë se në procesin e integrimit evropian do kishte faktorë që do ta donin të bëhej me procedura të përshpejtuara,këta janë shqiptarët. Natyrisht, ne në këtë drejtim ,në qoftë se do ishte e sinqertë, nuk ka se si të mos vlerësonim edhe dashamirësinë politike të Evropës për ta futur në një strategji të përshpejtuar Shqipërinë, që korrespondon edhe me interesat e saj gjeopolitike. Por duhet të shprehim vëmendjen e natyrshme në raport me projektin e integrimit, se edhe në rast se për arsye subjektive do përkëdhelej autoritarizmi që është krijuar në Shqipëri me çmimin e interesit të cv-ve të disa diplomatëve të akredituar në Tirane, apo disa zyrtarëve të tjerë të Komisionit Evropian, atëherë ky lloj procesi, duke shkelur mbi parime dhe kritere të rëndësishme në radhe të parë do ti krijonte probleme vet të ardhmes së Bashkimit Evropian dhe sigurisht për ne shqiptarët, do ishte një mynxyrë demokratike.
Fushata publicitare e qeverisë për integrimin evropian, sot është një piramidë e pastër për të mbajtur regjimin e drogës dhe të krimit të organizuar në këmbë. Kjo fushatë është në thelb një proces korruptiv i pastër që mbështetet nga disa eksponent të Komisionit Evropian të cilët fluturojnë përsipër kritereve dhe parimeve kryesore mbi të cilat është ideuar dhe ngritur në këmbë Bashkimi Evropian, si ambasdori evropian në Tiranë, komisionerja sllovene për zgjerim dhe dhjetëra lobistë të tjerë, të cilët me deklaratat e tyre që nuk i korrespondojnë realitetit,vetëm sa ushqejnë iluzionin e rrezikshëm të integrimit.
Kur erdhi në drejtimin e qeverisë mbas rotacionit të vitit 2013 qeveria e Ramës, Shqipërinë e gjeti pikërisht tek porta e integrimit. Gjeti një klimë shumë të favorshme, nga ku kushtet politike dhe demokratike kishin arritur një standard të mire, ku në se përshkohej një proces i natyrshëm teknik dhe respektoheshin parimet e lirisë dhe të shtetit ligjor, Shqipëria mund të ishte bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
Raporti i Dash për korrupsionin në Shqipëri vjen si një dëshmi shkatërruese për piramidën e integrimit.
Në këtë dokument megjithëse problematika kësaj radhe është e fokusuar vetëm në problemet e korrupsionit krimit të organizuar dhe mungesës së konkurrencës në klimës së biznesit, përshkruhet me shqetësim tërë atmosfera e një vendi anormal për standardet e NATO-s dhe demokracisë perëndimore.
Integrimi evropian para se gjithash kërkon demokracinë dhe lirinë politike.
Kryediplomates së Bashkimit Evropian znj. Kaja Kallas, nëpërmjet një qasje më objektive që ka për zhvillimet demokratiko-shoqërore në Shqipëri, i është dashur të ndërhyjë dhe të sqarojë më se një herë, se zgjerimi dhe pranimi në BE kërkon konsensusin e të gjithëve. Kultura e etikës evropiane në përgjithësi, nuk e thekson këtë në proces, sepse e nënkupton etikën politike të çdo vendi kandidat si të mirëqenë dhe të respektuar nga çdo kush. Por kryeministri dallaveraxhi i Shqipërisë aktuale, ka krijuar kulturën e tij të mbrapshtë dhe ka shkatërruar këtu gjithë kulturën e vlerave politike qe është krijuar deri më tashti.
Si duhet ta kuptojnë dhe trajtojnë këtë problem në lidhje me integrimin e supozuar të kryeministrit?
Si një dallavere lobimi, për të përfituar shumëçka prej tij, që jo vetëm nuk ka krijuar asgjë por përkundrazi, ka penguar dhe ka shkatërruar rrugën e Shqipërisë drejt integrimit.
Michael Gahler, Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian në zgjedhjet e 11 majit e bëri të qartë, se me këtë regjim integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian aktualisht e ka marrë lum, kur tha se vendi me këtë nivel korrupsioni dhe pa zbatuar standardet nuk do të futet kurrë në BE.