Black Lives Matter padit Fondacionin Tides të mbështetur nga Soros për 33 milionë dollarë të zhdukur
Nga Isabel Vincent/
Lëvizja kombëtare Black Lives Matter pretendon se 33,4 milionë dollarë nga fondet e saj po mbahen peng nga një prej organizatave partnere progresive, ka mësuar The Post.
Në një padi, Fondacioni i Rrjetit Global Black Lives Matter (BLMGNF) akuzon Fondacionin Tides, i mbështetur nga George Sorosi, për "praktika të rreme biznesi" si dhe "keqmenaxhim flagrant" të parave të tij, duke kërkuar kthimin e tyre.
Padia u depozitua vitin e kaluar, por situata u tensionua të hënën kur BLMGNF, që mbikëqyr operacionet e tij rajonale, kërkoi nga Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë të ndërhyjë dhe të hetojë Tides.
"Klienti im tani duhet të paguajë para vetëm që të marrë mbrapsht paratë e veta, pasi i ka mbledhur 100% vetë," tha Lawrence Segal, përfaqësues i BLMGNF-së.
Segal pretendoi se paratë e BLM-së mund të jenë përdorur nga Tides edhe për të financuar mbrojtjen ligjore kundër tyre.
BLMGNF nisi marrëdhënien me Tides menjëherë pasi themeloi lëvizjen në vitin 2013.
Pasi grupi i sapoformuar nuk ishte ende organizatë bamirëse e përjashtuar nga taksat, i nevojitej një sponsor fiskal për të shpërndarë paratë e marra nga donatorë anonimë te organizata të tjera dhe për këtë zgjodhi Tides.
Gjërat u ndërlikuan pasi shuma të mëdha parash u derdhën pas vrasjes së George Floyd-it në Minneapolis në vitin 2020, kur BLM mblodhi rreth 90 milionë dollarë donacione mes viteve 2020 dhe 2022.
"TIDES nuk i ndan fondet," i tha Segal The Post. "Të gjitha paratë e klientit tim, me sa duket, janë bashkuar në një llogari gjigante. Sponsorizimet fiskale të Tides janë shumë pak të rregulluara, në rastin më të mirë."
Tides nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga The Post. Grupi më parë e ka quajtur padinë "plotësisht të pavërtetë" dhe ka mbrojtur veprimet e veta, duke thënë: "Padia e BLMGNF-së synon të anashkalojë qëllimin e donatorëve të Fondit dhe t'u mohojë degëve bazë të Black Lives Matter burimet kritike, për përfitimet e veta."
Edhe BLMGNF-ja është kritikuar për mënyrën si i ka trajtuar donacionet. Nga 90 milionë dollarët e mbledhur pas vdekjes së Floyd-it, në dy vitet pasuese u dhanë vetëm rreth 30 milionë dollarë për qëllime bamirësie.
Patrisse Cullors, një nga bashkëthemelueset e grupit, bëri një fushatë të bujshme blerjesh në pasuri të paluajtshme, zbuloi The Post në prill 2021.
Cullors, e cila këmbënguli se nuk i kishte përdorur donacionet e BLMGNF-së për blerjet e pasurive, dha dorëheqjen një muaj pas publikimit të asaj historie.
Njëri prej vëllezërve të saj, Paul Cullors, është ende i lidhur me BLMGNF-në, duke marrë mbi 200 mijë dollarë në vit si "shef sigurie," sipas dokumenteve federale.
Përveç padisë, Tides ka qenë nën sulm edhe nga Komiteti i Financave dhe Tatimeve të Kongresit për faktin se ka vepruar si kanal për kontribute të destinuara për organizata jofitimprurëse që kanë organizuar protesta anti-Izrael në kampuset e Ivy League pas sulmeve terroriste të Hamasit ndaj Izraelit me 7 tetor.
Vitin e kaluar, përfaqësuesi Jason Smith (R-Mo.), kryetar i komitetit, kërkoi nga IRS-ja të revokojë statusin jofitimprurës të Tides. Ai tha se grupi ka vepruar si kanal për donacionet nga organizata si The People's Forum, Students for Justice in Palestine dhe Adalah Justice Project.
"Fondacioni Tides, në bashkëpunim me Adalah Justice Project dhe Arab Resource and Organizing Center, është përfshirë në veprime të drejtpërdrejta për të nxitur trazira, për të shkaktuar kaos dhe për të prishur kampuset universitare.
Tides ka marrë gjithashtu dhjetëra miliona në donacione nga Open Society Fund i miliarderit progresist Soros, sipas të dhënave publike.
Një gjyq mes BLMGNF-së dhe Tides është planifikuar të zhvillohet në gusht 2026. / New York Post - Syri.net