Familjet neandertale udhëtonin në plazhet e Portugalisë rreth 80 mijë vjet më parë
Kockat dhe veglat nuk janë të vetmet që na tregojnë për neandertalët. Një studim i botuar në Scientific Reports në korrik përshkruan dy vendndodhje të reja të neandertalëve të zbuluara në Algarve, bregu jugor i Portugalisë, në anën jugore të Gadishullit Iberik. Vetë këto vende janë të pasura me informacion për neandertalët, por në vend të kockave të thyera apo thikave të mprehura prej guri, ato përmbajnë gjurmë fosile këmbësh, duke i bërë gjurmët e para të neandertalëve të gjetura ndonjëherë në Portugali.
Sipas autorëve të studimit të ri, këto vende avancojnë dijet tona mbi shpërndarjen dhe sjelljen e homininëve në periudhën pleistocene, rreth 80 mijë vjet më parë, duke mbështetur teorinë se ata ishin të përshtatur mirë për jetën pranë bregdetit.
"Gjurmët regjistrojnë një moment specifik, pothuajse të menjëhershëm, duke na lejuar të rindërtojmë çfarë po ndodhte," thanë autorët e studimit Carlos Neto de Carvalho nga Universiteti i Lisbonës dhe Fernando Muñiz Guinea nga Universiteti i Seviljes, sipas një deklarate për shtyp. "Gjurmët tregojnë si neandertalët përdornin hapësirën, si eksploronin mjediset bregdetare, pyjet, dunat ose brigjet e lumenjve, diçka që është e vështirë të kuptohet vetëm nga artefaktet."
Zbulimi i gjurmëve
Sigurisht, kockat dhe veglat janë burime të rëndësishme informacioni arkeologjik. Ato tregojnë për identitetin e homininëve të lashtë dhe për zhvillimin e tyre teknologjik e kulturor. Por gjurmët kanë përparësitë e tyre. Të ruajtura në sediment, e të mbërthyera aty, ato pasqyrojnë momente të veçanta, duke dëshmuar praninë e homininëve në një kohë dhe vend të caktuar.
Jo vetëm kaq; gjurmët mund të japin të dhëna që artefakte të tjera si thikat ose shtizat nuk i ofrojnë gjithmonë, duke treguar numrin e përafërt dhe moshën e individëve që i kanë bërë, si edhe aktivitetet e tyre të mundshme. Vetëm nga madhësia dhe shpërndarja e gjurmëve është e mundur të identifikohen të rritur, adoleshentë dhe fëmijë, duke ecur, vrapuar ose duke kryer punët e përditshme.
"Gjurmët ofrojnë një dritare unike dhe dinamike mbi sjelljen e përditshme," shtuan Neto de Carvalho dhe Muñiz Guinea. "Një pamje e shkurtër nga jeta dhjetëra mijëra vite më parë."
Duke hasur për herë të parë një nga gjurmët e reja në vitin 2020, autorët zbuluan dy vendndodhje të ndryshme në Algarve, në ato që gjatë periudhës pleistocene ishin duna bregdetare. Me origjinë rreth 82 mijë vjet më parë, vendi i quajtur Praia do Telheiro përmban një gjurmë të një femre të rritur ose një adoleshenteje. Ndërkohë, vendi i Praia do Monte Clérigo daton rreth 78 mijë vjet më parë dhe përmban 26 gjurmë të një mashkulli të rritur dhe dy fëmijëve, njëri prej tyre një foshnjë rreth një vjeç.
Jeta në bregdet
Fakti që një nga vendndodhjet ka gjurmë fëmijësh sugjeron se neandertalët jetonin aty pranë, foshnjat nuk njihen për aftësinë e tyre për të udhëtuar larg. Por neandertalët nuk ishin të vetmit banorë të këtyre bregdetit. Gjurmë kafshësh shfaqen në të dy vendet, shpendë në Praia do Telheiro dhe drerë në Praia do Monte Clérigo, duke treguar se neandertalët ndesheshin dhe madje gjuanin kafshë përgjatë brigjeve iberike.
Në fakt, disa nga gjurmët në vendin e Praia do Monte Clérigo-s tregojnë për një përplasje mes një njeriu dhe një dreri, duke sugjeruar se neandertalët gjenin ushqim në breg, duke ndjekur dhe zënë prenë përgjatë dunave bregdetare.
Duke kombinuar këto gjurmë me zbulimet nga vendet e tjera të neandertalëve në Gadishullin Iberik, autorët thonë se këta homininë me gjasë ushqeheshin me drerë, kuaj dhe lepuj, dhe e plotësonin ushqimin me produkte deti. Edhe pse provat janë të kufizuara, disa nga këto vende përmbajnë shenja se neandertalët iberikë konsumonin peshq dhe molusqe, megjithëse në sasi të vogla.
Të marra së bashku, rezultatet zbulojnë se neandertalët ishin me gjasë shumë më të përshtatur për jetesën bregdetare sesa është menduar tradicionalisht, duke krijuar një imazh të ri të tyre, jo si dashamirës të pyjeve, por si dashamirës të plazheve. / Discover Magazine - Syri.net