'DASH nxorri në pah shifrat alarmante të trafikimit në Shqiperi', PL: Qeveria duhet të japë llogari për çdo viktimë dhe të ndërmarrë masa të menjëhershme

Zv.Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në një deklaratë për media tha se situata e trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri është alarmante dhe tregon qartë dështimin e thellë të institucioneve shtetërore.

Ajo shtoi se raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore për vitin 2025 nxjerr në pah se vendi ynë nuk përmbush ende standardet minimale ndërkombëtare për të luftuar këtë fenomen kriminal.

Xhixho theksoi se gratë dhe vajzat janë viktima të dyfishta: jo vetëm nga trafikantët, por edhe nga një sistem drejtësie që shpesh i ndëshkon ato në vend të kriminelëve.

Sipas saj, mungesa e koordinimit institucional, hetimet e dobëta, pandëshkueshmëria e zyrtarëve të përfshirë dhe mos-ofrimi i mbështetjes për viktimat bëjnë që trafikimi të lulëzojë pa frikë, ndërsa qeveria mban përgjegjësi të plotë për këtë dështim.

Deklarata për media:

Të nderuar qytetarë!

Në raportin e fundit, Departamenti Amerikan i Shtetit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore në vitin 2025 nxjerr në pah një realitet alarmant për Shqipërinë, vendi ynë nuk përmbush ende standardet minimale për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

Dështimi i thellë i institucioneve tona është pasojë e qeverisjes së papërgjegjshme dhe bashkëpunimit të hapur me krimin. 

Sot, Partia e Lirisë denoncon me forcë këtë situatë dhe kërkon përgjegjësi të plotë nga qeveria.

Hetime të dobëta, drejtësi që nuk vepron

Raporti tregon qartë se policia dhe prokuroria në nivel lokal nuk kanë kapacitet për të trajtuar rastet e trafikimit. Minimizimi i akuzave, shpeshherë i qëllimshëm, i shpëton trafikantët nga ndëshkimi i merituar. Një drejtësi që i shërben krimit dhe ndëshkon viktimat nuk mund të jetë kurrsesi drejtësi. 
Gratë dhe vajzat bëhen dy herë viktima për shkak të deformimit të cështjeve të tyre. Janë identifikuar raste ku gra dhe vajza të trafikuara janë ndjekur penalisht për prostitucion, pa u pyetur kush i shfrytëzoi dhe kush përfitoi nga dhuna ndaj tyre. Kjo është një padrejtësi e dyfishtë.

Kaos institucional dhe mungesë koordinimi
Shteti ka dështuar në mbrojtjen e viktimave. Zyra e Koordinatorit Kombëtar dhe Mekanizmi i Referimit nuk mblidhen, nuk marrin vendime dhe nuk mbajnë përgjegjësi. Dështimi institucional i hap rrugën trafikimit, që lulëzon në heshtje.

Zero mbështetje për viktimat
Prej tre vitesh, asnjë fond nga asetet e sekuestruara të krimit nuk janë vënë në funksion të përmirësimit të jetës së viktimave. Qeveria nuk ofron shërbime afatgjata, bashkitë nuk garantojnë strehim, dhe viktimat, sidomos nënat me fëmijë, mbeten në mëshirë të fatit. Sepse shteti nuk mbron jetën njerëzore. 

Drejtësia traumatizon sërish
Gjykatat refuzojnë kompensimin dhe viktimat detyrohen të dëshmojnë disa herë, duke përjetuar traumën e tyre edhe më keq. Asnjë gjykatë nuk ofron kushte të sigurta për dëshmitarët. Në disa raste, prokurorët kanë refuzuar të ndërhyjnë edhe kur prindërit shfrytëzojnë fëmijët e tyre.

Pandëshkueshmëria 
Shteti shqiptar nuk ka hetuar dhe as ndëshkuar ndonjë zyrtar të përfshirë në trafikim. Ndërsa të fortët me lidhje pushteti nuk dalin para drejtësisë,  korrupsioni dhe bashkëpunimi i heshtur me rrjete kriminale vazhdojnë pa asnjë frenim. Kjo tregon jo vetëm paaftësi, por edhe bashkëfajësi.
Një vend ku shteti mbron trafikantët dhe dënon viktimat as nuk mund ta çojë nëpër mend integrimin në BE, as në 2030 dhe as ndonjëherë.

Faleminderit!