Tabaku: Shteti po zhduket nga shërbimet publike! Tani prodhon armë dhe jep me koncesion gjithçka
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngre alarmin për mënyrën se si po përdoret buxheti i shtetit, duke akuzuar qeverinë se po i zhvesh qytetarët nga të drejtat themelore si shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura, për t’ia dorëzuar ato klientelës përmes kontratave koncesionare.
E ftuar në një intervistë në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, ajo tha se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, ku shteti nuk ofron më shërbime, por ndërton fabrika armësh e drone, ndërsa gjysma e buxhetit prej 1.2 miliardë eurosh po shpërdorohet në kontrata të dyshimta. Sipas Tabakut, kjo është një rrugë e rrezikshme që kërcënon edhe sigurinë kombëtare, përmes ligjeve speciale dhe klientelizmit politik.
Jorida Tabaku: Kemi kaluar në një nivel krejt tjetër. Tani shteti nuk ofron shërbime që nuk duhet të ofrojë, shëndetësia është një nga këto, shkollat janë së dyti që po ndërtohen po me PPP, rrugët janë së treti dhe pastaj thotë që do të ndërtojë fabrika armësh. ‘Unë do të prodhoj armë dhe drone’. Po të kishte jetuar Fridman dhe të kishte shkruar në këto kohë, do të kishte ndryshuar mendim.
Përtej kësaj batute, është shqetësues fakti që sot Shqipëria ka të gjithë buxhetin e saj të dedikuar për partneritetin publik-privat, për koncesione, duke marrë pjesë në shëndetësi, llokmat e arsimit, llokmat e rrugëve, e ka të ndarë buxhetin për këtë pakicë që shkojnë të gjitha këto 11 kontrata koncensionare që janë të gjitha në hetim, ndërkohë që është vënë re që shpërdorimi për to është sa gjysma e vlerës.
Imagjino, ke një buxhet që shkon në 1.2 miliardë euro të cilin gjysma konsiderohet vjedhje. Imagjino çdo ti ishte bërë buxhetit të shtetit me këtë. Për mua është shumë shqetësues fakti që në fushën e mbrojtjes, është që Shqipëria është duke bërë eksperimente, është duke hyrë në një rrugë e cila jo vetëm është e pashkelur, por është edhe e rrezikshme. Kjo sepse, po i jep asetet e sigurisë kombëtare, kompanive që janë përfolur për lidhje pranë kryeministrit dhe së dyti për mënyrën dhe për ligjet speciale me të cilat ato miratohen janë dhe kalojnë në parlament, njësoj si ligji i investimeve strategjike që ju përmendët edhe në insert.