'I paqartë dhe i njëanshëm', Mema: Plani i paqes për Gazën, pikëpyetje mbi reagimin e Hamasit
I ftuar në intervistë në edicionin informativ të lajmeve të orës 20:00, eksperti për çështjet ndërkombëtare, Medlir Mema, u shpreh se plani i propozuar për Gazën, ndonëse shitet si një hap drejt paqes, në thelb është një marrëveshje që legjitimon statusin aktual të kontrollit izraelit dhe thellon padrejtësinë ndaj palestinezëve.
Sipas Memës, verdikti i këtij plani është negativ, pasi prodhon vazhdimësi të pasigurisë së menaxhuar nga ndërkombëtarët dhe forcat izraelite, duke përjashtuar vetë palestinezët nga çdo vendimmarrje reale për fatin e tyre.
Eksperti ndalet në disa pika të paqarta dhe problematike të marrëveshjes, veçanërisht sa i përket statusit të trupave izraelite në Rripin e Gazës, mungesës së një afati konkret të tërheqjes dhe rrezikut që territori i Gazës të zvogëlohet edhe më tej. Ai thekson se plani i propozuar i jep më shumë avantazhe Izraelit dhe se deklarata të tilla si ajo e Tony Blair për “dokumente pronësie për palestinezët” janë, sipas tij, hipokrite dhe mashtruese.
Mema paralajmëron se kjo zgjidhje e ofruar nga jashtë nuk sjell stabilitet të qëndrueshëm, por thjesht menaxhim ndërkombëtar të një krize që vazhdon të dëmtojë më shumë popullin palestinez.
Pjesë nga deklarata:
Së pari, është një lajm i mirë kur një plan ekziston dhe pranohet nga një palë në këtë rast, nga Izraeli. Edhe pse Hamasi nuk ka qenë i pranishëm në tryezën e bisedimeve, shqetësimet e tij janë bërë të ditura. Nuk bëhet fjalë vetëm për një marrëveshje mes SHBA-së dhe Izraelit, por për një dakordësi më të gjerë që përfshin edhe disa vende arabe.
Pikëpyetja më e madhe qëndron te Hamasi dhe mënyra se si do të reagojë. Vetë kjo marrëveshje i jep më shumë Izraelit sesa Hamasit. Kjo është e pritshme, jo vetëm sepse SHBA historikisht i qëndron më pranë Izraelit, por edhe sepse Izraeli ka epërsi ushtarake, ekonomike dhe politike, çka i lejon të imponojë një zgjidhje forcave më të dobëta.
Ka disa elemente të marrëveshjes që mbeten shqetësuese veçanërisht paqartësia në lidhje me statusin e trupave izraelite në Rripin e Gazës. Gjuha e përdorur nuk është e qartë: nuk përmendet asnjë datë e tërheqjes, as ndonjë distancë konkrete. Flitet në mënyrë të paqartë për një “periferi sigurie”, por nuk specifikohet asnjë përimetër i saktë brenda Gazës. Në praktikë, kjo mund të çojë në zvogëlim të mëtejshëm të territorit të Gazës.
Së dyti, nuk sqarohet se çfarë përqindjeje e trupave izraelite do të tërhiqet. Ka terma të rëndësishëm në dokument që, për nga aspekti ligjor, janë përdorur në mënyrë të tillë që lënë shumë hapësirë për interpretim të njëanshëm.
Çështja kyçe mbetet nëse Hamasi do të jetë i gatshëm të dorëzojë të gjithë forcën e tij ushtarake, politike dhe ekonomike. Edhe pse është goditur rëndë kohët e fundit, Hamasi ende mbetet forca e vetme ushtarake në Gaza dhe vazhdon të besojë se mund ta zgjatë konfliktin më tej.
Në aspektin njerëzor, është e pamundur të mos ndjesh dhimbje kur sheh situatën në Gaza. Zemra të pikon gjak. Statusi i palestinezëve është gjithnjë e më i pasigurt, ndërkohë që çështja e gjenocidit tashmë është objekt shqyrtimi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku Afrika e Jugut dhe disa shtete të tjera kanë akuzuar Izraelin. Vetë fakti që gjykata ka pranuar të shqyrtojë çështjen tregon se ka prova serioze. Në të njëjtën kohë, Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë po shqyrton veprimet e udhëheqësve të Hamasit dhe të Izraelit.
Por për qytetarët palestinezë, kjo marrëveshje nuk ofron shumë shpresë. Ata do të vazhdojnë të jetojnë në një realitet të përkohshëm, nën presion të vazhdueshëm dhe në kushte të paqarta. Zgjidhjet që ofrohen janë gjithmonë të formuluara nga jashtë, përmes bordeve të paqes, ndërsa territori nën menaxhimin palestinez zvogëlohet çdo herë e më shumë.
Palestinezët deri më tani kanë vetëm humbur territor. Edhe ftesa hipokrite e Tony Blair, i cili dëshiron të udhëheqë një “Bord Paqeje” dhe premton t’u japë dokumente pronësie palestinezëve që do të largohen dhe më pas të rikthehen në Gaza, është një mashtrim i madh. Është një formë tjetër e zhvendosjes së popullsisë nën petkun e legalitetit dhe të zgjidhjes diplomatike. Në realitet, kjo e thellon edhe më shumë padrejtësinë historike ndaj popullit palestinez.
Verdikti, për mua, është një verdikt negativ. Kjo marrëveshje nuk sjell paqe të qëndrueshme, por thjesht një vazhdimësi të pasigurisë, e cila do të menaxhohet nga ndërkombëtarët dhe forcat izraelite, jo nga vetë palestinezët. Kjo nuk është zgjidhje; është një administrim i përhershëm i krizës, që nuk i garanton palestinezëve as të drejtat themelore, as sovranitetin, as dinjitetin.