'Heshtje që zbulon skemat korruptive', Bushkolaj: Yuri Kim heshti për TEC-et dhe McGonigal, por u fokusua te ‘non grata’ e Berishës

Gazetari Elkier Bushkolaj në Syri TV denoncoi rolin e dyfishtë të ambasadores amerikane Yuri Kim në skandalet kryesore të fundit në Shqipëri. Sipas tij, ndërsa Kim ka qenë aktive në presionin ndaj ish-kryeministrit Berisha me çështjen “non grata”, ajo ka heshtur krejtësisht për aferat e mëdha korruptive si rasti McGonigal dhe TEC-et lundruese, që po kushtojnë miliona euro taksapaguesve shqiptarë.

Bushkolaj paralajmëroi se TEC-et, të justifikuara me emergjencën energjetike, nuk prodhojnë asnjë energji për ekonominë dhe janë kthyer në një tjetër aferë të stërmadhe, shumë afër asaj të inceneratorëve.

Ai theksoi gjithashtu se heshtja e ambasadores Kim për këto çështje të rëndësishme ka ndikuar në drejtimin e drejtësisë, duke e bërë atë të paaftë të hetojë dhe ndëshkojë skemat korruptive që po shkatërrojnë vendin.

Pjesë nga deklarata:

Nëse do ta krahasonim me një aferë tjetër tonën, ajo do të ishte afera e inceneratorëve. Të dyja kanë një nisje të përbashkët: emergjencën. Njëra kishte emergjencën mjedisore për shkak të mbetjeve dhe u finalizua me miliona euro për inceneratorë, nga të cilët asnjëri nuk prodhon energji elektrike. Tjetra është me TEC-et lundruese, që erdhën në Shqipëri me justifikimin e një emergjence energjetike, kur në të vërtetë, sot e kësaj dite, pavarësisht se marrin miliona euro nga taksat tona, nuk prodhojnë asgjë për ekonominë e vendit përveç humbjes financiare. Dhe kjo është çështja kryesore me të cilën duhet të merret SPAK.

Është po kjo ambasadore, Yuri Kim, e cila, kur po zgjidhej kreu i SPAK, ishte një herë në dy ditë te dera e institucionit, derisa u diktua ai që u cilësua si “garë” për zgjedhjen e tij. Mjafton të bëjmë një krahasim të thjeshtë mes deklaratave të të ngarkuarës me punë në javët e fundit, në takime me çdo ministër, dhe deklaratave të Kim. Për ato për të cilat ambasadorët flasin shumë dhe për ato për të cilat ata heshtin, janë çështje që duhet të nxisin si gazetarët, ashtu edhe drejtësinë të reagojnë.

Yuri Kim fliste shumë për çështjen "non grata" të Berishës, duke shkelur thuajse çdo konventë të Vjenës në pothuajse çdo takim, ndërsa paralelisht shfaqej në aktivitete me Veliajn dhe biznesmenë të ndryshëm që kanë përfituar miliona euro nga lejet e ndërtimit dhe për të cilët ka dyshime se janë përfshirë masivisht në pastrimin e parave. Ndërkohë, ajo heshti për çështjen McGonigal.

Çështjet Kim dhe McGonigal nuk mund të shihen të shkëputura nga njëra-tjetra, sepse kanë ndodhur pothuajse në të njëjtën kohë. Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë panoramë është se kriminalizimi masiv i ekonomisë shqiptare përkon me këto vite (2019–2024), kur nisi edhe vala e goditjeve nga partnerët ndërkombëtarë, me ardhjen e dosjeve nga SKY ECC që ekspozuan thellësisht këtë kriminalizim.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk kemi pasur asnjë deklaratë apo shqetësim nga ajo që sot Ambasada Amerikane po ngre si alarm fuqia financiare e karteleve të drogës në Shqipëri, që e kanë ndërtuar atë me bekimin e qeverisë.

Ne i mbajmë mend edhe ambasadorët e mëparshëm: njëri fliste për kanabizimin, tjetri për korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë, nuk mbahet mend asnjë deklaratë e Yuri Kim për çështje që lidhen me narkotrafikun, i cili është ekspozuar si një nga problemet kryesore në pesë vitet e fundit.

E gjithë kjo nuk duhet parë e shkëputur nga ato që kanë ndodhur me emërimet në drejtësi qofshin në KLGJ, GJK apo në emërimin e kreut të SPAK. Emërime që përkonin me interesat e qeverisë. Ishin pjesë e skemës së tyre.

Problemi është se rezultati i asaj mbështetjeje dhe i atyre deklaratave për drejtësinë e re, është se sot na dalin afera të reja që duhen hetuar.