Infermierët dhe mjekët e urgjencës bëjnë triazh më saktë sesa inteligjenca artificiale
Mjekët dhe infermierët performojnë më mirë në përgjithësi në triazhin e departamentit të urgjencës sesa inteligjenca artificiale (IA), e cila shfaqi "saktësi të përgjithshme" më të ulët në një seri testesh spitalore.
Sipas studiuesve që folën në Kongresin Evropian të Mjekësisë së Emergjencave në Vjenë, inteligjenca artificiale dha përgjigje të sakta për pyetjet dhe skenarët që lidhen me triazhin rreth gjysmën e kohës, ndërsa infermierët arritën rreth 65% dhe mjekët mbi 70%.
Në një kohë kur inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më e aftë, gjetjet bien ndesh me indikacionet se shumë aftësi njerëzore në të ardhmen, mund të rivalizohen nga softuerët.
Në testet e kryera në departamentin e urgjencës së Spitalit Universitar të Vilniusit, mjekëve dhe infermierëve iu kërkua të përdornin Sistemin e Triazhit të Mançesterit për të klasifikuar pacientët nga studimet e rasteve në njërën nga pesë kategoritë, nga më urgjenti te më pak urgjenti.
"Ndjeshmëria - sa mirë identifikoi rastet e vërteta urgjente - për IA-në ishte gjithashtu më e ulët në 58.3%, krahasuar me infermierët, të cilët shënuan 73.8%, dhe mjekët, të cilët shënuan 83.0%", tha Renata Jukneviciene e Universitetit të Vilniusit.
Të njëjtat raste u analizuan nga ChatGPT, i cili, megjithëse nuk i arriti në përgjithësi infermierët dhe mjekët, i tejkaloi infermierët në kategorinë e parë të triazhit - rastet më urgjente ose potencialisht kërcënuese për jetën, të paraqitura në një repart urgjence.
"Ne e kryem këtë studim për të adresuar problemin në rritje të mbipopullimit në departamentin e urgjencës dhe ngarkesën në rritje të punës së infermierëve", shpjegoi Jukneviciene.
"Duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të mjeteve të inteligjencës artificiale si ChatGPT, ne synuam të shqyrtonim nëse inteligjenca artificiale mund të mbështeste vendimmarrjen e triazhit, të përmirësonte efikasitetin dhe të zvogëlonte barrën mbi stafin në mjediset e emergjencës", shtoi ajo.
Ndërsa inteligjenca artificiale "ka potencial" për përdorim në spitale, sipas Barbra Backus, një mjeke urgjence me bazë në Amsterdam, ajo vjen me "kufizime".
"Ky studim tregon shumë qartë se nuk mund të zëvendësojë stafin e trajnuar mjekësor për triagimin e pacientëve që vijnë në departamentet e urgjencës", tha Backus, e cila kryeson komitetin e përzgjedhjes së abstrakteve të konferencës./ DPA News.