Luis Enrique i kundërpërgjigjet ‘Pedri Potter-it’: Shpresoj që të mos e ketë shkopin magjik
Në prag të supersfidës mes PSG-së dhe Barcelonës në Champions League, trajneri i parizienëve, Luis Enrique, doli para medieve duke analizuar ndeshjen dhe duke iu përgjigjur deklaratave të Pedrit, i cili kishte kërkuar “hakmarrje” kundër francezëve.
“Pedri Potter” dhe dueli në mesfushë
Luis Enrique nuk i kurseu elozhet për mesfushorin e Barçës, por njëkohësisht theksoi se skuadra e tij do të bëjë çmos për ta neutralizuar:
“Pedri është i jashtëzakonshëm, e njoh shumë mirë. Pa asnjë dyshim, është ‘Pedri Potter’. Shpresoj që nesër të mos e sjellë shkopin magjik. Do të përpiqemi që të ketë sa më pak ndikim, edhe pse Barcelona nuk është vetëm Pedri. Ka De Jong, Cubarsí dhe shumë të tjerë që e bëjnë këtë ekip shumë të fortë.”
Çelësi i lojës: zotërimi i topit
Ashtu si mesfushori spanjoll, edhe Luis Enrique theksoi se ndeshja do të vendoset në mesfushë:
“Do të jetë një përballje e bukur mes dy ekipeve me të njëjtën filozofi. Ne nuk duam të spekulojmë, por të japim versionin më të mirë tonin si në aspektin futbollistik ashtu edhe në atë psikologjik. Çelësi i ndeshjes do të jetë kush do ta ketë topin më shumë.”
Rikthimi në Barcelonë
Trajneri i PSG-së nuk e fshehu emocionin për rikthimin në qytetin ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës:
“Barcelona është shtëpia ime, nuk mund të them asgjë të keqe për këtë klub. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Jam ‘culé’ dhe ‘socio’, i shoh të gjitha ndeshjet e Barçës sepse më argëton.”
Për PSG-në dhe të shkuarën
Enrique kërkoi të mos shihet pas, por të fokusohet tek e tashmja:
“E kaluara nuk vlen për asgjë. Duhet të mendojmë për të tashmen dhe të ardhmen. Kemi një ekip të fortë, shumë lojtarë cilësorë dhe duam të përgatitemi sa më mirë për këtë sfidë. Është një ndeshje e bërë për dy ekipe që duan të luajnë futboll ofensiv.”