SYRI TV/ Gjykata e Apelit dënon 12 vite burg Francesco Becchetti! Arbitrazhi i njohu biznesmenit dëmin mbi 100 milion euro
Apeli me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë ka dënuar me 12 vite burg biznesmenin italian Francesco Bechetti, të cilit, në bashkim të dënimeve, iu zbritën 5 vite nga vendimi i Shkallës së Parë që e kishte dënuar me 17 vite. Vendimi vjen pas një procesi hetimor dhe gjyqësor prej 11 vitesh. Teksa drejtësia shqiptare e shpall fajtor për 4 vepra penale, Gjykata e Arbitrazhit i njeh atij dëmin ekonomik prej mbi 100 milionë euro. Dëmi i shkaktuar shtetit përfshin edhe bllokimin e disa aseteve me vlerë, si masë kompensimi ndaj biznesmenit.
Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë ka dënuar me 12 vite burg Francesco Bechettin, duke zbatuar nenin 55 të Kodit Penal, që parashikon bashkimin e dënimeve. Treshja gjyqësore që mori vendimin përbëhej nga gjyqtarët Genti Shala, Brikena Ukperaj dhe Dritan Hasani, të cilët ndryshuan pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë për një pjesë të dënimit.
Apeli uli në 12 vite burg edhe dënimin për Mauro De Renzis, bashkëpunëtor i Bechettit, i cili në Shkallën e Parë ishte dënuar me 16 vite. Për pjesën tjetër të të pandehurve, u la në fuqi i njëjti vendim.
Ndërkohë, Gjykata ka vendosur që 4 kompanitë e sekuestruara të Bechettit — konkretisht “Energji” sh.p.k., “Cable System” sh.p.k., “400 KV” sh.p.k. dhe “Agon Set” sh.p.k. — t’i kalojnë shtetit shqiptar.
Qeveria shqiptare e akuzon Bechettin për katër vepra penale: “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Kujtojmë se saga e sherrit personal të Edi Ramës me Francesco Bechettin përfundoi me një fund të hidhur për qytetarët shqiptarë. Biznesmeni italian ka ekzekutuar gjobën 110 milionë euro të Arbitrazhit në Belgjikë, duke marrë të gjitha paratë e hapësirës ajrore të Shqipërisë, të cilat mbaheshin të bllokuara në llogarinë e Eurocontrol-it që prej dhjetorit të vitit 2020.
Por, përveç Edi Ramës, ky dëm ka edhe dy bashkëautorë të tjerë. I pari është Erion Veliaj, i cili, sipas raportimeve, dërgonte SMS kërcënuese pasi gazetarët e Agon Channel filmuan dasmën e tij në Kalanë e Gjirokastrës. Bashkëautori i dytë është Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, i cili, gjatë një dreke në një restorant të Tiranës, e kërcënoi Bechettin me mesazhe me përmbajtje mafioze.