Flick, mesazh për Lamine Yamal: Është i jashtëzakonshëm, por...
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur për talentin e madh të Lamine Yamal, por njëkohësisht ka dërguar edhe një mesazh të qartë për të. Në konferencën për shtyp para sfidës së madhe kundër PSG-së, gjermani theksoi se talenti i sulmuesit 18-vjeçar nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me punë të vazhdueshme.
“Nuk më pëlqen kur flitet me terma të ekzagjeruar si ‘super, super’. Lamine është një lojtar i jashtëzakonshëm, por ka edhe të tjerë të tillë në ekip. Ai është vetëm 18 vjeç dhe duhet të fokusohet te puna,” tha Flick, duke ulur entuziazmin e madh që po shoqëron rritjen e lojtarit katalanas.
Trajneri shtoi se për t’u ngritur në nivelin tjetër, Lamine duhet të zhvillojë edhe aspektet mbrojtëse të lojës:
“Për të kaluar një apo dy shkallë më lart, nuk mjafton vetëm talenti. Duhet përpjekje, duhet të punosh edhe pa top, të mbrosh. Kjo është ajo që kërkojmë nga të gjithë, jo vetëm nga ai.”
Megjithatë, Flick nuk i kurseu vlerësimet:
“Është një lojtar i madh me topin dhe pikërisht kjo e bën të bëjë diferencën. Por për t’u bërë një kampion i plotë, duhet të gjejë ekuilibrin mes talentit dhe përkushtimit.”
Kështu, trajneri i Barcelonës ka dashur të dërgojë një mesazh edukues për yllin e ri të “blaugranave”, në prag të një ndeshjeje ku sytë e Europës do të jenë të përqendruar te “Camp Nou”.