Blushi: Yuri Kim, ‘nepërka’ që helmoi marrëdhëniet me SHBA, kërcënonte opozitën për të ‘kullufitur’ 2 ‘Tigrat’ lundrues
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar qeverinë dhe mazhorancën se po shkatërrojnë qëllimisht parlamentarizmin dhe institucionet kushtetuese.
Në një intervistë në edicionin e lajmeve në SYRI TV, Blushi theksoi se mazhoranca po refuzon me arrogancë çdo përpjekje të opozitës për debat demokratik në Kuvend, duke rrëzuar dy mocione të rëndësishme, për propagandën e qeverisë mbi anëtarësimin në BE dhe për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.
Tedi Blushi: Opozita po bën çdo përpjekje për të kthyer parlamentarizmin në shinat e Kushtetutës. Është tani mëse e qartë se kjo qeveri dhe kjo mazhorancë refuzon të respektojë Kushtetutën. Ka një synim të qartë për të asgjësuar të gjitha institucionet dhe për fat të keq për të kthyer Kuvendit, jo më në një noter por në një institucion që nuk ekziston më sepse është tani më e qartë që Edi Rama e urren parlamentarizmin, e urren debatin.
Thelbi i diskutimeve në Konferencën e Kryetarëve në fakt, sot duhet të ishte thjesht caktimi i datës së dy mocioneve të kërkuara nga opozita, pra mocioni me debat me qeverinë lidhur me debatin për angazhimin e saj propagandistik me anëtarësimin në BE si dhe rezoluta e tyre, shumë e rëndësishme, për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Të dyja shumë të rëndësishme, të rrëzuara për një arsye sepse, mocioni nuk është asgjë tjetër përveçse pasqyra ku do të reflektoheshin të gjitha aferat korruptive. Inkriminimi deri në nivelet më të larta të qeverisë, deri në nivelin e kryeministrit. Dhe sigurisht, rezoluta e dytë e gjenocidit serb, e cila refuzoi sot përfaqësuesit e mazhorancës në Konferencën e Kryetarëve.
Është e papranueshme që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të mos ketë guximin të dënojë me rezolutë gjenocidin serb në Kosovë, afërmendsh kjo do të ndodhte për sa kohë kemi kryeministër dhe një kryetar mazhorance që tanimë është etiketuar ndërkombëtarisht si nxitësit e idesë famëkeqe të ndarjes së Kosovës.