U vra në Shqipëri, aktorja italiane rrëfen mes lotësh: Dodo ishte dashuria ime e parë...
E kishte lënë Italinë që prej më shumë se njëzet vitesh, kishte ndërtuar një jetë dhe një familje në Shqipëri, ndaj kujtimet për Edoardo Sarchi, të lidhura me vendlindjen, i përkasin më së shumti fëmijërisë, adoleshencës dhe rinisë, të kaluar mes Luino, Cunardo dhe mbi të gjitha në Grantola. Në këtë të fundit jeton dhe drejton një biznes mikpritjeje Riccardo Barbieri, kushëriri i Sarchit, i cili, i tronditur nga tragjedia, rrëfen:
“Edoardo ishte një njeri i ndershëm dhe i rezervuar. Aq sa, kur mora vesh për vdekjen e tij, duke qenë se ishte vetëm 44 vjeç, mendova për një aksident rrugor.”
Por rrethanat e vrasjes së tij mbeten ende të paqarta, me disa versione kontradiktore që pritet të zbardhen nga autoritetet hetimore dhe gjyqësore.
“Kushëriri im ishte një punëtor i madh, e ndiqte me shumë pasion kompaninë që kishte themeluar në Shqipëri”, shton Barbieri.
Ai i referohet kompanisë Tegola Edilcentro, prodhuese tullash dhe materialesh ndërtimi në Tiranë – një emër italian që nënvizon lidhjen e fortë mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe atë të familjes Sarchi e Nidoli me këtë tokë. Këto familje kanë qenë ndër të parat që investuan në Shqipëri që në vitet ’70, duke hapur biznese përtej Adriatikut.
“Tashmë, me familjen e krijuar në Shqipëri, vinte rrallë në Itali”, vijon Barbieri.
Në Cunardo, për shembull, pak e njohën nga fotografitë e publikuara në media. “Unë e takova për herë të fundit tre vite më parë, në varrimin e babait të tij. Komunikonim një herë në vit. Kujtimet që më kanë mbetur janë ato nga fëmijëria: një familje e bashkuar dhe momente pa brenga, të lumtura, që kalonim bashkë. Ai ka qenë gjithmonë një njeri i qetë dhe i rezervuar, dhe pikërisht për këtë nuk arrij të kuptoj se si ndodhi një gjë e tillë. Edoardo ishte e kundërta e një njeriu që mund të përfshihej në një ngjarje të tillë.”
Kujtimi i Sarah Maestri
Aktorja italiane Sarah Maestri ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale për 44-vjeçarin e ndjerë:
“Edoardo, Dodo, kështu e thërrisnim ne, miqtë e grupit të Stacionit, kur deri në fillim të viteve 2000 jetonim gjithçka bashkë, çdo përvojë, çdo ndjesi”, shkruan ajo.
“Ai ishte dashuria ime e parë, ajo dashuri e lehtë, e çiltër dhe me një butësi të pafundme që ndriçon adoleshencën dhe të mbetet në zemër përgjithmonë. Prej dy ditësh, kujtimet më kanë pushtuar mes lotëve që nuk kam forcë t’i ndal.”
“Lajmi i vdekjes së tij, aq i papritur dhe aq i dhunshëm, më ngriu gjakun dhe më theu zemrën, vazhdon aktorja.
Me të ikën një copë unike e imja, e përbërë vetëm nga kujtime të bukura, të cilat ai m’i dhuroi me shpirt. Unë, si të gjithë miqtë dhe të afërmit e tij, kërkojmë që të zbardhet e vërteta dhe të vendoset drejtësi.”/Prealpina