Durrës/ Arrestohet 46-vjeçarja e dënuar në Itali me 13 vite burg për trafik droge
Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Arachne”, duke vënë në pranga një shtetase të dënuar me burg në Itali. Në njoftimin zyrtar, policia bën të ditur se në kuadër të këtij operacioni, u arrestua Edisnarda (alias Edisnajda) Shapka, 46 vjeçe, banuese në Durrës, e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Gjykata e Apelit e Bolonjës e ka dënuar atë me 13 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Bazuar në informacionet operative të siguruara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, u bë lokalizimi dhe ndalimi i saj në qytetin bregdetar.
Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendim të datës 27.09.2025, ka vendosur për të masën e sigurisë “Arrest në burg”, në funksion të njohjes dhe ekzekutimit të vendimit penal të dhënë nga autoritetet italiane në vitin 2020.
Veprimet e mëtejshme ligjore po ndiqen në bashkëpunim me Interpol Tirana, për procedurat e ekstradimit të saj drejt Italisë.