Zgjidhet anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese

Asim Vokshi është zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese, duke zënë kështu vendin e Holta Zaçajt.

Vokshi është përzgjedhur zyrtarisht si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, pasi edhe pse asnjë prej kandidatëve nuk arriti të merrte 3/5 e votave, është i rënditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me 89.5 pikë.

Njoftimi i Gjykatës së Latrë:

Gjykata e Lartë zgjedh anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese

Tiranë, 30 shtator 2025 — Në ambientet e Gjykatës së Lartë, u zhvillua Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të kësaj gjykate, me qëllim zhvillimin e procedurës së votimit për zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Procesi u zhvillua në përputhje me parashikimet e Kushtetutës, ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, si dhe Rregullores së miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Në përfundim të votimit, komisioni pasi verifikoi vlefshmërinë dhe numrin total të votave për secilin kandidat, konstatoi se:

z. Asim Vokshi – 6 vota

zj. Naureda Llagami – 8 vota

z. Florian Ballhysa – 0 vota

Komisioni kontatoi gjithashtu edhe një fletë votimi të pavlefshme.

Në kushtet kur parashikimet ligjore përcaktojnë se shpallet fitues kandidati që merr 3/5  e votave të pjesëmarrësve, dhe në rastin e votimit të sotëm ku asnjë nga kandidatët nuk e arriti këtë prag, komisioni shpall fitues kandidatin e renditur të parin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.  Në këto kushte, z. Asim Vokshi zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi për zgjedhjen e z. Vokshi i komunikohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe do të publikohet në Qendrën e Publikimeve Zyrtare.