'Shqipëria ka humbur demokracinë', Strazimiri: Seanca e fundit plenare tregoi se parlamenti po shndërrohet në një 'teatër arrogance'
Gent Strazimiri, deputet i PD, nga studioja e “Kafe Shqeto”, tha se se zhvillimet e fundit në Parlament nuk janë thjesht një përplasje politike, por një tregues i qartë i situatës së rënduar të demokracisë në Shqipëri.
Ai theksoi se mbrojtja e rregullores dhe e të drejtave të deputetëve të opozitës nuk është një veprim formal, por një hap i domosdoshëm për zgjimin e opinionit publik, duke treguar kontrastin e madh midis përfaqësuesve të vërtetë dhe atyre që sillen në mënyrë të papërgjegjshme në sallë.
Sipas Strazimirit, seanca e fundit ka nxjerrë në pah disnivelin e madh mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës, ku grupet e fundit shfaqin arrogancë dhe mungesë kontributi, duke transformuar institucionin e Parlamentit në një vend ku përplasja midis shtresave më të pambrojtura të shoqërisë dhe qeverisë zbehet.
"Atje diskutohet jo thjesht për të drejtat e opozitës, por sepse nëse i hiqet e drejta njërit prej tyre, i është hequr njërit prej shtresave më të papërkrahura të shoqërisë shqiptare, për t’i përplasur në fytyrë qeverisë ato probleme që vetë ajo i ka krijuar, që nuk e lejon shoqërinë dhe ekonominë të ecë përpara"- theksoj Strazimiri.
Ai vuri në dukje se kjo nuk është thjesht një lojë politike brenda sallës, por një reflektim i një sistemi që pengon progresin ekonomik dhe shoqëror, duke e mbajtur vendin peng të një elite që nuk respekton institucionet dhe të drejtat e qytetarëve.
Gent Strazimiri:
"Unë mendoj që fakti që po mbrojmë me forcë rregulloren apo të drejtat e deputetit, sidomos të opozitës, është me të vërtetë një avancim, me atë që unë do ta quaja zgjim të opinionit publik, për atë që po ndodh me demokracinë në këtë vend.
Sigurisht që seanca e djeshme ka treguar disnivelin mes grupeve të deputetëve të opozitës, apo përgjegjshmërinë e tyre si qytetarë, përfaqësues të vërtetë të një institucioni që duhet të jetë kontrollori i qeverisë, përballë njerëzve të mbushur pa asnjë lloj kontributi, njerëz anonimë që sillen në mënyrë të papërgjegjshme, duke treguar arrogancën e një njeriu që nuk ka fituar asgjë në jetë dhe atë vend e ka marrë sepse dikush i ka vënë gishtin, për t’u tallur me debatin parlamentar në mënyrë fshatareske, përballë situatës ku ndodhet vendi.
Unë mendoj që është një moment, në të cilin shoqëria, duke parë çfarë po ndodh në Parlamentin e Shqipërisë prej 12 vitesh, duhet të kuptojë se Shqipëria nuk ka më demokraci. Dhe mesa duket, ajo është projektuar nga e njëjta bandë që të vazhdojë ta vuajë. Dhe unë mendoj se ne nuk duhet të presim më.
Nuk është një lojë midis dy ekipeve në një sallë që të shohim tani se çfarë po bëhet.
Atje diskutohet jo thjesht për të drejtat e opozitës, por sepse nëse i hiqet e drejta njërit prej tyre, i është hequr njërit prej shtresave më të papërkrahura të shoqërisë shqiptare, për t’i përplasur në fytyrë qeverisë ato probleme që vetë ajo i ka krijuar, që nuk e lejon shoqërinë dhe ekonominë të ecë përpara".