'Rama në samitin e kokainës', Çollaku: Portet, koncesionet dhe ilaçet ndahen si territore mafioze. SPAK në dijeni prej 7 vitesh, por hesht

Gazetari Basir Çollaku, nga studioja e “Kafe Shqeto”, tha se ngjarjet e fundit që po tronditin opinionin publik nuk janë më çështje të zakonshme kriminale, por prova e qartë e një krimi politik të organizuar në nivelet më të larta të pushtetit.

Sipas tij, pas takimeve të mbyllura, ndarjes së interesave dhe marrëveshjeve të fshehta, po ndërtohet një sistem mafioz, ku portet, aeroportet, koncesionet dhe tenderat publikë ndahen si zona influence midis grupeve të pushtetit dhe rrjeteve kriminale.

Çollaku theksoi se SPAK ka dijeni për këto zhvillime, përfshirë edhe hetimet e hapura në disa vende europiane, por ka zgjedhur heshtjen dhe mungesën e veprimit, duke mos kërkuar ndihmë juridike ndërkombëtare për të zbardhur çështjen.

Ai shtoi se dosjet që po hetohen jashtë vendit përfshijnë ngjarje që datojnë që prej vitit 2018, dhe përmendin takime, emra konkretë nga bota e trafikut dhe politika shqiptare, si dhe përfitime me vlera marramendëse.

Basir Çollaku:

"Sigurisht që ky është krim politik kjo, përveç një vepre të rëndë penale të konsumuar nga pjesëmarrësit, si dhe aktiviteti që ata kanë konsumuar pas takimit dhe e kanë ekzekutuar pas asaj tryeze.

Familjet mafioze nuk bëjnë asgjë më shumë se kaq mblidhen rreth tryezës së investimeve dhe njëri i jep portin, tjetri aeroportin, e kështu kanë bërë dhe këta.

Kanë dorëzuar portin te grupet kriminale, tjetri merr ilaçet, tjetri koncesionet. Pra, i kanë ndarë zonat dhe shërbimet, dhe pasi janë shpërndarë, ka ndodhur pikërisht kështu.

Kryeministri nuk ka nevojë për interpelancë, do kishte shkuar në shtëpi dhe do duhej të ishte marrë struktura e posaçme me të, por ata nuk i kanë këto ‘këllqe’.

Unë do thosha se SPAK ka dijeni, por nuk ka lajmëruar apo përcjellë kërkesë për ndihmë juridike institucioneve dhe homologëve të këtyre 6 vendeve: Belgjikë, Holandë, Spanjë, Itali, Gjermani, por edhe SHBA.

Tani, të kesh dijeni prej 7 vitesh sepse edhe proceset gjyqësore që zhvillohen në Belgjikë janë e njëjta çështje, le të themi, ku hetimet kanë nisur që në 2018.

Bëhet fjalë për një periudhë deri në 2022, ku në atë dosje flitet dhe me emra për takimin e Arubës, flitet konkretisht kush ka qenë edhe nga bota e trafikut edhe nga politika.

Aty shkruhet që zotëria mori orën me vlerë 400 mijë euro. Aty thuhet “ministër”, por unë them që është mbi ministër dhe saktësohet aty.

Është ende shpejt për të thënë se Rama nuk ka qenë në Aruba, e duhet t’i besojmë atij. Ta presim ta deklarojë qenien apo mosqenien atje, sepse besoj se vetëdija e tij e ka këtë informacion të klasifikuar për publikun, në mos publikun, strukturës së posaçme".