Tony Blair pjesë e 'Bordit të Paqes' që do të mbikëqyrë rindërtimin e Gazës, ish-kryeministri britanik: Plan i guximshëm dhe i zgjuar

Ish-kryeministri britanik Tony Blair ishte emri i vetëm që përmendi Presidenti amerikan Donald Trump si anëtar i “Bordit të Paqes” (Board of Peace), organit që do të mbikëqyrë qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës.

Pas deklaratave të Trump, i cili e përshkroi Blairin si “njeri të mirë”, ish-kryeministri lëshoi një deklaratë të shkruar ku përshëndeti iniciativën amerikane.

“Presidenti Trump paraqiti një plan guximtar dhe të mençur, i cili, nëse miratohet, mund të përfundojë luftën, të sjellë lehtësim të menjëhershëm në Gaza, dhe mundësi për një të ardhme më të ndritur dhe më të mirë për popullin e saj, duke siguruar njëkohësisht sigurinë absolute dhe të qëndrueshme të Izraelit dhe lirimin e të gjitha pengjeve”, tha ai.

“Ky plan na ofron shansin më të mirë për të dhënë fund dy viteve luftë, vuajtje dhe dhimbje. Falënderoj Presidentin Trump për lidershipin, vendosmërinë dhe angazhimin e tij”, shtoi ai.

Blair theksoi veçanërisht gatishmërinë e Trump për të udhëhequr Bordit të Paqes: “Gatishmëria e tij për të marrë drejtimin e Bordit të Paqes për të mbikëqyrur një Gaza të re është një mesazh i fuqishëm mbështetjeje dhe besimi në të ardhmen e Gazës, në aftësinë e izraelitëve dhe palestinezëve për të gjetur një rrugë drejt paqes dhe në potencialin për një aleancë më të gjerë rajonale dhe globale për të përballuar forcat e ekstremizmit dhe për të promovuar paqen dhe prosperitetin ndërmjet kombeve.