VIDEO/ Kryemadhi: Dumani u zgjodh se u premtoi ndërkombëtarëve se do luftonte bandat e Durrësit, e nuk bëri asgjë
Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka komentuar zgjedhjen e Altin Dumanit si kreu i SPAK (Struktura e Posaçme Antikorrupsion). Sipas saj, zgjedhja e Dumanit ka një aspekt të rëndësishëm që lidhet me premtimin e dhënë ndaj ndërkombëtarëve, veçanërisht atyre evropianë.
Kryemadhi shpjegon se Dumani u zgjodh për shkak të një angazhimi konkret: lufta kundër bandave në portin e Durrësit dhe ndërprerja e rrjeteve të trafikut të drogës që kalonin nga ky port, i cili është kthyer në një pikë kyçe të furnizimit me kokainë dhe heroinë për vendet e Bashkimit Evropian.
‘Dumani kishte marrë përsipër një gjë që i kishin kërkuar ndërkombëtarët, sidomos europianët. Çështja e portit të Durrësit dhe bandave të Durrësit. Pra trafiku i drogës dhe ndërprerja e komunikimit, sepse Shqipëria ishte bërë porti kryesor i furnizimit me kokainë dhe me heroinë që vinte për tu shpërndarë nëpër BE,’ tha Kryemadhi, duke rikujtuar edhe luftën që u zhvillua përmes operacioneve ‘Enchro Chat’ dhe ‘Sky Ecc’.
Megjithatë, sipas Kryemadhit, premtimi i Dumanit nuk është përmbushur. Ajo nënvizon se raportet e institucioneve shqiptare vetë tregojnë se porti i Durrësit mbetet problemi kryesor i lidhur me trafikun e drogës dhe funksionimin e kësaj strukture kriminale brenda sistemit shtetëror, duke e konsideruar situatën si më shumë se një problem lokal.
‘Dumani këtë gjë e garantoi, dhe për hir të vërtetës ne e dimë se nuk ka ndodhur gjë. Sot raportet e vetë institucioneve deklarojnë se porti i Durrësit është problemi kryesor që ka sot Shqipëria për trafikun e drogës dhe funksionit të kësaj strukture në sistem shtetëror, jo thjeshtë një bandë lokale,’ përfundoi Kryemadhi.