Hamasi reagon kundër planit të Trump për paqen në Gaza: Të krijohet shteti palestinez, nuk pranojmë Blair
Vetëm pak pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbështeti publikisht nga Shtëpia e Bardhë planin 20-pikësh të paqes të propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, Hamas ka reaguar ashpër kundër disa elementëve të këtij plani, duke refuzuar përfshirjen e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në menaxhimin e situatës post-konflikt në Gaza dhe duke kërkuar vetëmenaxhim nga brenda.
Hamasi deklaroi se ende nuk ka në dorë planin e paqes të shkruar nga Trump.
Në një deklaratë, Taher al-Nunu, zyrtar i lartë i Hamasit, e cilësoi Tony Blair si një figurë të papranueshme për popullin palestinez, duke shtuar se:
“Populli ynë është plotësisht i aftë të menaxhojë vetë çështjet e tij. Nuk do të pranojmë kurrë një kujdestari të huaj në Gaza, as pas përfundimit të luftës.”
Reagimi vjen menjëherë pasi Trump shpalosi në Uashington planin për paqe në Lindjen e Mesme, i cili ndër të tjera parashikon një fazë tranzicioni dhe menaxhimi ndërkombëtar të Gazës, si dhe çarmatimin e Hamasit.
Por ndërsa Tel Avivi mbështet ndërhyrjen ndërkombëtare, Hamas e sheh këtë si një përpjekje për të rrëmbyer të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje.
Në një intervistë për Al-Arabi, al-Nunu shtoi se rezistenca e armatosur është ende një e drejtë legjitime, për aq kohë sa nuk ekziston një shtet i pavarur palestinez:
“Nëse krijohet një shtet palestinez i lirë, nuk do të ketë më nevojë për armë apo për rezistencë të armatosur. Por derisa pushtimi vazhdon, rezistenca është e drejtë e patjetërsueshme.”
Nga ana tjetër gjatë deklaratës së tij nga Shtëpia e Bardhë, Netanyahu u shpreh qartë: “Mbështes planin e Trump për t’i dhënë fund luftës. Ai siguron që Izraeli të mos kërcënohet më nga Hamasi.”
Kjo përplasje mes qeverisë izraelite dhe Hamasit tregon se plani i paqes i mbështetur nga SHBA mund të hasë pengesa serioze në zbatim veçanërisht nëse synon një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ndërkombëtare në Gaza, pa konsensus palestinez.
Hamas e sheh këtë si një përpjekje për të zhveshur popullin nga sovraniteti, ndërsa Izraeli e konsideron të vetmen mënyrë për të garantuar siguri afatgjatë.