Inter mbyll bilancin 2024/25 me fitim rekord prej 35,4 milionë eurosh
Pas viteve me humbje, arkat e Interit rikthehen të buzëqeshin. Këshilli i Administrimit i klubit zikaltër ka miratuar bilancin e sezonit 2024/25, i cili shënon një fitim neto prej 35,4 milionë eurosh dhe të ardhura rekord për Serinë A në vlerën e 567 milionë eurove. Ky rezultat tejkalon primatin e mëparshëm të Juventusit në sezonin 2016/17 (562 milionë).
Rrugëtimi i gjatë në Evropë dhe pjesëmarrja në edicionin e parë të Botërorit të Klubeve FIFA kanë qenë faktorë vendimtarë për këtë arritje, ndërsa janë rritur edhe të ardhurat nga sponsorizimet dhe ndeshjet.
Në krahasim me sezonin e kaluar, kur Inter regjistroi një humbje prej 35,7 milionë eurosh, ndryshimi është i thellë. Shpenzimet e prodhimit u rritën me vetëm 3,8%, ndërsa u shënua edhe një hap i rëndësishëm në menaxhimin financiar: shlyerja e obligacioneve të mëparshme dhe sigurimi i një financimi afatgjatë prej 350 milionë eurosh me kushte më të favorshme, duke i dhënë klubit një vlerësim krediti “investment grade”.
Nga ana sportive, merkatoja e verës solli rinovim të skuadrës nën drejtimin e Cristian Chivu, me prurje të reja për të garantuar konkurrueshmërinë dhe stabilitetin. Ndërkohë, pronarët e Oaktree Capital kanë aprovuar investime të mëdha në infrastrukturë, përfshirë një projekt prej 100 milionë eurosh për qendrat stërvitore.
Marrëveshja dhjetëvjeçare me Fanatics për merchandising dhe hyrja e BYD si partner global e konfirmojnë synimin e Interit për të rritur ndikimin jashtë fushe, duke ndërtuar baza të forta për të ardhmen.