VIDEO/ Kartelet e drogës në Shqipëri, Çollaku: SHBA po flet më shumë se SPAK dhe Ministria e Brendshme

Gazetari Basir Çollaku ka komentuar situatën e kriminalitetit dhe luftës kundër karteleve të drogës në Shqipëri, gjatë një interviste në emisionin Task Force me Sonila Meçon në SYRI TV.

Në qendër të diskutimit ishte raporti i fundit i Departamenti Amerikan të Shtetit për lirinë e të bërit biznes në Shqipëri.

Gjatë debatit, Çollaku ka komentuar deklaratat publike të Ambasadës së SHBA në Tiranë, që sipas tij ditët e fundit, po tregon më shumë angazhim publik sesa institucionet shqiptare.

‘Ambasada e SHBA po flet më shumë se SPAK dhe Ministria e Brendshme, të dyja bashkë,’ u shpreh Çollaku.

Ai vuri në dukje se mesazhet që vijnë nga autoritetet shqiptare janë të vakëta dhe shpesh reduktohen në një refren të përsëritur.

‘Një fjali që është refreni i tyre dhe tek kjo kam pak optimizëm se janë duke shtyrë drejt thellimit të hetimeve është: ‘do të luftojmë bashkë’. ‘Do të luftojmë bashkë’ se këta nuk e bëjnë dot vetëm? Nga mungesa e vullnetit, dëshirës dhe nga frika, dhe ata nuk duan t’i lënë që këta ta bëjnë vetëm, se mund të ketë firo rrugës, siç ka ndodhur në shumë raste,’ u shpreh ai.

Sipas gazetarit, kartelet e drogës janë tashmë të integruara me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe me financimet terroriste, duke i dhënë kësaj çështjeje përmasa më të rënda.

‘Ky refren i ambasadës, dhe tashmë nuk ka një ndarje kartel droge apo terrorizëm, tani janë 1. I marrin paratë nga droga.

Francezët kanë nxjerrë ushtrinë.

Belgët kanë nxjerrë ushtrinë, amerikanët po se po. Problemi është se, ne çfarë nxjerrim këtu? Ushtrinë që fik radarët, që kultivon drogë në reparte,’ vijoi më tej gazetari Çollaku.

Ai theksoi gjithashtu se edhe nëse SPAK ka vullnet të luftojë krimin, nuk ka mbështetjen e nevojshme nga strukturat e tjera shtetërore.

‘SPAK edhe sikur të dojë, ka ushtrinë, policinë, një pjesë të kolegëve përballë dhe nuk i kanë në krah,’ theksoi ndër të tjera gazetari Basir Çollaku, në SYRI TV.