Vlahovic-Bayern, rikthehet interesi, gjermanët mendojnë ta marrin me parametër zero
Edhe pse merkatoja është mbyllur prej pak javësh, në shtëpinë e Juventusit vazhdon të jetë temë e nxehtë e ardhmja e Dušan Vlahovic-it. As deklaratat e Giorgio Chiellinit, drejtues i marrëdhënieve institucionale të klubit (“do të jetë lojtar i Juves deri më 30 qershor 2026”), nuk kanë mjaftuar për të qetësuar zërat për një largim të mundshëm.
Sipas së përditshmes gjermane ‘Bild’, Bayern ka rihapur pistën për sulmuesin serb, i cili kishte qenë në shënjestrën e bavarezëve edhe në vitin 2022, kur Lewandowski u largua drejt Barcelonës. Atëherë, kërkesa mbi 80 milionë euro e Fiorentinës u konsiderua e lartë dhe Vlahovic zgjodhi Juventusin.
Tani skenari duket më i favorshëm: Bayern po mendon për një pasues afatgjatë të Harry Kane, i cili ka një klauzolë lirimi prej 65-70 milionë eurosh, që aktivizohet në verën e vitit 2026. Për këtë arsye, drejtuesit e kampionëve gjermanë po studiojnë mundësinë e afrimit të Vlahovicit-t, i cili nga janari mund të nënshkruajë me një klub të ri si lojtar i lirë.
Edhe eksperti i merkatos Fabrizio Romano ka konfirmuar interesin: “Bayern po vlerëson një tjetër sulmues për vitin 2026 dhe ka kontaktuar Vlahovicin për situatën e tij. Ende nuk ka oferta konkrete, por disa klube të tjera gjithashtu po e ndjekin nga afër”.
E sigurt është se aventura e serbit me bardhezinjtë nuk do të zgjasë përtej 30 qershorit 2026.