Rusia tërhiqet nga Konventa Evropiane kundër Torturës
Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar sot një ligj që formalizon tërheqjen e Rusisë nga Konventa Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit apo Dënimit Çnjerëzor ose Degradues.
Lajmi u raportua nga disa media ndërkombëtare, të cilat cituan burime nga qeveria ruse. Sipas tyre, iniciativa për të dalë nga kjo konventë u mor nga vetë Putini në fillim të këtij muaji, ndërsa Dhoma e Ulët e Parlamentit (Duma) miratoi projektligjin përkatës rreth dy javë më parë.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Rusia mban të paktën 8,000 ushtarë ukrainas si robër lufte, sipas burimeve ndërkombëtare. Vendimi shihet gjerësisht si një përshkallëzim i mëtejshëm në raportet mes Rusisë dhe Këshillit të Evropës.
Në tekstin e legjislacionit të miratuar thuhet se Rusia po tërhiqet nga konventa si reagim ndaj ‘refuzimit të Këshillit të Evropës për të emëruar një përfaqësues rus në komitetin mbikëqyrës të konventës.’
Konventa për Parandalimin e Torturës është miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 1987 dhe përfaqëson një nga instrumentet kryesore në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinentin evropian. Rusia e kishte ratifikuar atë në vitin 1998.
Me këtë vendim, Rusia vazhdon të distancohet nga institucionet kryesore evropiane për të drejtat e njeriut, pas përjashtimit të saj nga Këshilli i Evropës në vitin 2022, pas fillimit të agresionit ushtarak ndaj Ukrainës.