Trump do të presë Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë, teksa SHBA shtyn përpara planin e ri të paqes për Gazën
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump.
Takimi vjen pas fjalës së Netanyahut në OKB të premten, ku ai e quajti “një njollë turpi” njohjen e shtetit palestinez nga disa vende perëndimore, duke shtuar se kjo dërgonte mesazhin se “vrasja e hebrenjve shpërblehet”.
Dhjetëra zyrtarë dhe diplomatë u larguan nga salla në shenjë proteste sapo Netanyahu mori fjalën, duke lënë bosh një pjesë të madhe të sallës së konferencave.
Vizita e sotme në Shtëpinë e Bardhë është e katërta për Netanyahun këtë vit, ndërsa Izraeli përballet me presion në rritje për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Trump e ka bërë të qartë qëndrimin e tij, duke deklaruar të premten se “nuk do ta lejojë” Netanyahun të aneksojë Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, por shtoi se një marrëveshje armëpushimi për luftën në Gaza është “shumë pranë”.
Plani amerikan parashikon lirimin e të gjithë pengjeve, ata që janë gjallë dhe ata që kanë vdekur. Synohet të mos ketë më sulme izraelite mbi Katarin, ndërsa të nisë një dialog mes Izraelit dhe palës palestineze për “bashkëjetesë paqësore”. Trump dëshiron që Netanyahu të pranojë një kuadër që nxit t’i japë fund luftës në Gaza dhe të çlirojë pengjet.