I arrestuar në Shqipëri/ Bashkëshortja e profesorit italian intervistë për Syri.net: Mungon informacioni i qartë, ka frikë

Flet ekskluzivisht për Syri.net Vanessa Castelli, profesoreshë e Biologjisë në Universitetin e L’Aquilës dhe e fejuara e profesorit italian Michele D’Angelo, i cili që prej muajsh ndodhet në paraburgim në Shqipëri pas një aksidenti, për të cilin ai deklaron pafajësinë.

 Në këto muaj të vështirë, partnerja e Michele-s tregon për përpjekjet për të mbajtur një dialog me autoritetet shqiptare, dramën e ndalimit të gjatë të Michele-s pavarësisht pafajësisë së tij, dhe emocione të forta që lidhen me ngjarjet tragjike. Në një intervistë për gazetaren Alba Kepi për Syri.net Vanessa Castelli ndan shqetësimet e saj mbi vonesat e procesit, pasigurinë dhe ankthin e pritjes, si dhe shpresat dhe shqetësimet që e shoqërojnë gjatë udhëtimit të saj drejt Shqipërisë për të takuar Michele-n.

Alba Kepi: Në këto muaj të vështirë, a keni pasur një dialog me autoritetet shqiptare?

Vanessa Castelli për Syri net: Ne kemi synuar të ruajmë një dialog korrekt dhe konstruktiv me autoritetet shqiptare, duke ndjekur të gjitha kanalet ligjore dhe institucionale në dispozicion. Në disa raste është bërë e mundur një ballafaqim i drejtpërdrejtë, por shpesh kemi hasur në vonesa të gjata dhe në mungesë të qartësisë së komunikimit. Megjithatë, mbetemi me shpresën se institucionet do të tregojnë përgjegjësinë e nevojshme dhe se e vërteta do të dalë plotësisht në dritë.

Alba Kepi: Si e shpjegoni këtë periudhë të gjatë paraburgimi për Michele, pavarësisht pafajësisë së tij?

Vanessa Castelli për Syri net: Është e vështirë të jepet një shpjegim logjik. Michele është përfshirë në një ngjarje tragjike, por ekzistojnë prova objektive – përfshirë video të ngjarjes në posedim të policisë – të cilat tregojnë qartë mospërfshirjen e tij në çfarëdo përgjegjësie penale. Qëndrimi i tij në burg është tepër i vështirë, i rënduar edhe nga mungesa e njohjes së gjuhës dhe largësia nga familja. Ne shpresojmë që këto prova të shqyrtohen me kujdesin dhe paanshmërinë që kërkon drejtësia.

Alba Kepi: Duke iu rikthyer asaj dite, a ka diçka që vazhdon t’ju rëndojë apo që do të kishit dashur të kishte ndodhur ndryshe?

Vanessa Castelli për Syri net: Ka ngjarje që, kur ndodhin, e pezullojnë ndjenjën e kohës dhe të arsyes. Ajo ditë është pikërisht e tillë. Ajo që rëndon më shumë nuk është vetëm vetë ngjarja, por edhe ajo që nuk u kuptua, që nuk u tha, që nuk pati kohë të sqarohej.

Alba Kepi: Avokati i Michele-s ka folur për vonesa serioze në proces: çfarë do të thotë për ju personalisht kjo pritje kaq e gjatë dhe e dhimbshme?

Vanessa Castelli për Syri net: E kuptojmë se, sipas ligjit, hetimet mund të zgjasin deri në tre muaj, dhe e respektojmë punën e organeve të drejtësisë. Megjithatë, ajo që e bën këtë pritje veçanërisht të dhimbshme është mungesa e informacionit të qartë dhe ndjesia se koha kalon pa një përparim real.

Si partnere, e jetoj çdo ditë me ankthin e mosditjes se kur do të ketë një kthesë, kur Michele do të mund të marrë njohjen që meriton përmes një rindërtimi objektiv dhe të drejtë të fakteve. Është një kohë e mbetur pezull, e rëndë për zemrën dhe mendjen, por që përpiqem ta përballoj me forcë dhe me besim në drejtësi.

Alba Kepi: Tani që po udhëtoni drejt Shqipërisë, cilat janë shpresat dhe frikërat tuaja, dhe çfarë prisni nga ky udhëtim?

Vanessa Castelli për Syri net:  Po udhëtoj e vetme, por me mendjen gjithmonë te Michele dhe te të gjithë ata që na mbështesin. Ky udhëtim mbart shumë emocione: gëzimin e madh për ta parë më në fund, për t’i treguar që nuk është vetëm, se jashtë ka njerëz që e duan dhe e presin. Shumë miq, kolegë dhe studentë mezi presin të rikthejnë buzëqeshjen e tij, atë buzëqeshje që gjithmonë arrinte t’ua jepte të tjerëve edhe në momentet e vështira, e që tani i nevojitet më shumë se kurrë.

Sigurisht, ka edhe frikë: frikë se mos hasim sërish pengesa, heshtje apo vonesa. Por përpiqem ta përballoj me dinjitet, me respekt për të gjithë personat e përfshirë dhe me besim se autoritetet shqiptare do të shqyrtojnë me vëmendje çdo provë, përfshirë videot e ngjarjes./Syri.net/