Modric, magjia e 40 viteve: triumfi i “calcio”-s mbi “catenaccio”-n
Fitorja e Milanit ndaj Napolit (2-1) nuk solli vetëm kryesimin e kuqezinjve në Serinë A, por edhe një imazh të paharrueshëm: Luka Modric, në moshën 40-vjeçare, duke fituar duelin personal me Kevin De Bruyne (34). “Të gjithë e duan futbollin e bukur. Jam i lumtur që të pashë”, shkroi belgu në rrjetet sociale, por këtë herë ishte kroati që doli mbi të.
Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, “magjistari i 40 viteve” zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, duke fituar edhe përballjen fizike me De Bruyne, i cili shpesh dukej i ngadalshëm dhe jashtë forme. Vendimtar ishte momenti i minutës së 91-të, kur Modric devijoi në shtyllë një goditje të David Neres, që mund të sillte barazimin 2-2.
Pamja e tij në fund, i shtrirë në gjunjë dhe i rraskapitur, emocionoi gjithë tifozët kuqezinj. “Sekreti? Nuk është një gjë e vetme. Shumë faktorë duhet të përputhen, por mbi të gjitha është dashuria për lojën dhe sakrifica”, tha Modric.
Statistikat flasin vetë: sipas Opta-s, ai është lojtari i Serisë A me më shumë pasime të sakta (300), më shumë në gjysmën kundërshtare (169), më shumë pasime që thyejnë linjat (46), si dhe ai që ka ndërprerë (10) dhe rikuperuar më shumë topa (31).
Massimiliano Allegri nuk kurseu lavdërimet: “Është një lojtar shumë inteligjent. Të jep një cilësi të madhe para mbrojtjes, por edhe shumë ndërprerje që ndihmojnë kundërsulmet. Modric është diçka që nuk ekziston më në futboll. Është fat i madh që e kemi”.
Edhe Adrien Rabiot u shpreh i mahnitur: “Kur luan 10 kundër 11 duhet të japësh diçka më shumë, por me Lukën është e lehtë. Është 40 vjeç, por vrapon sikur të ishte 20. Nuk e di si ia del”.
Madje edhe presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, e pranoi madhështinë e kroatit: “Seria A është shpesh një kampionat tranzicioni, ku lojtarët kalojnë e ikin. Por ne kemi një kampion si Modric, edhe pse mbërriti 40-vjeçar”.