Blushi: Shumë shpejt opozita do ketë emrin e kandidatit të saj për Bashkinë e Tiranës

Në përfundim të Konferencës së Kryetarëve në Kuvend, ka folur për mediat edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

Ndërsa denoncoi mazhorancën për shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit në seancat e kaluara, duke iu bashkuar kërkesave të Partisë Demokratike, sekretari i përgjithshëm i PL bëri komente edhe për situatën politike në kryeqytet në lidhje me zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.

Ai tha se nuk kishte komente për shkarkimin apo ankimimin që ka bërë kryebashkiaku Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese, por theksoi se këtë të fundit e kontrollon kryeministri Edi Rama.

Ai tha se Tiranës i duhet një kryebashkiak i ri që të punojë për të, sepse gjendja ishte katastrofike në të gjithë drejtimet.

“Nuk kam asnjë koment për ankimin e Erion Veliajt në Kushtetuese, aq më tepër për një institucion të kapur nga kryeministri Edi Rama”, tha Blushi.

Prononcimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, z. Tedi Blushi.

Vetëm sot u njohëm që ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit të paktën 19 projektligje nga Qeveria dhe në mënyrë të paqartë nuk është specifikuar as ku do shqyrtohen, as kush është komisioni përgjegjës.

Sigurisht që nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj farse.

Dua gjithashtu të denoncoj futjen në mënyrë tinzare në axhendën parlamentare projektligjin për barazinë gjinore.

Një atentat ndaj familjes, ndaj vlerave të familjes, që tregon dhe njëherë që kjo Maxhorancë është e vendosur për të vijuar axhendën antikombëtare, jo vetëm të shpopullimit, por edhe të goditjes në themel të vlerave të familjes nëpërmjet këtij projektligji, i cili qartësisht  kundërshtohet nga komunitetet fetare, qartësisht kundërshtohet nga Opozita dhe nga Partia e Lirisë dhe është një projektligj i cili, e theksoj, godet në ADN-në e saj familjen shqiptare,  vlerat tona kombëtare dhe që sigurisht nuk mund të pranohet. 

U njohëm gjithashtu me faktin se kërkesa e Opozitës për mocion me Kryetarin e Kuvendit, dmth për debat për shkarkim, do të shqyrtohet nga vet Kryetari i Kuvendit, një tjetër moment sa qesharak aq edhe në  shkelje flagrante të Rregullores, sepse nuk mund të shqyrtojë kërkesën e Opozitës për shkarkim i njëjti person që kërkohet të shkarkohet.
Këto kanë qenë edhe qëndrimet tona.

Sigurisht nuk mora pjesë në votim, sepse nuk mund të mar pjesë në votim për një fletë të bardhë.

Na u paraqit një fletë e bardhë dhe na u kërkua të shprehnim vullnetin tonë me votë.

Pyetje: Ndërkohë Erjon Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij.
E fut kjo në një ngërç situatën, ndërsa opozita është duke u përgatitur për të zgjedhur një kandidat, ndoshta zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Tiranës mund të shtyhen?

Përgjigje:  Nuk dua të bëhem pjesë e asnjë debati juridik mes dy simboleve të paligjshmërisë, sepse si Erjon Veliaj dhe Edi Rama, janë të dy simbolet më të urryera të shkeljes së ligjit dhe çdo debat mes tyre nuk është asgjë tjetër veçse një farsë,  por dua të theksoj se Tirana për fat të keq, nuk është pa kryetar bashkie nga momenti i shkarkimit të Erjon Veliajt nga këshilli bashkiak, Tirana ka vite që nuk ka kryetar bashkie, sepse ka patur për fat të keq nje taleban, në një institucion që është sjellë si taleban jo vetëm me simbolet e këtij qyteti,  por është sjellë si barbar dhe me taksat e qytetarëve të Tiranës dhe aq më tepër me  jetët e mijëra e mijëra familjeve të Tiranës. 

Nuk kam asnjë koment specifik lidhur me ankimimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, një institucion i cili për fat të keq pothuajse është kapur nga Edi Rama,  por dua t'ju them që shumë shpejt opozita e bashkuar do të ketë kandidatin fitues  në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.