Bardhi në Konferencën e Kryetarëve: Mazhoranca po shkel rregulloren, refuzon të trajtojë kërkesat e PD

Tension në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar drejtuesit e Kuvendit për mosrespektim të rregullores dhe përpjekje për të shmangur kërkesat zyrtare të opozitës.

Në fjalën e tij, Bardhi theksoi se kryetari i Kuvendit ka detyrimin të thërrasë Këshillin e Legjislacionit, në lidhje me kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit aktual të Kuvendit. Sipas tij, thirrja e këtij Këshilli nuk është një çështje vullneti politik, por një detyrim procedurial që duhet respektuar.

Ai shtoi se PD ka depozituar edhe një kërkesë për përsëritjen e seancës plenare të datës 12 shtator, duke argumentuar se mënyra se si kaluan projektaktet në atë seancë, pa debat, përbën shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. Bardhi kërkoi që kjo çështje të përfshihet në axhendën e mbledhjes së sotme.

Gjithashtu, Bardhi ngriti shqetësimin për mostrajtimin e një kërkese të tretë, që ka të bëjë me mocionin me debat për programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. Ai theksoi se afati 3-ditor për përfshirjen e mocionit në rendin e ditës skadon sot, sipas parashikimeve të rregullores së Kuvendit, dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë njoftim për një mbledhje tjetër.

Sot është dita e tretë, sipas afatit që parashikon rregullorja, dhe nuk kemi ende njoftim për një mbledhje tjetër. Kjo është shkelje e hapur e të drejtës së opozitës për debat parlamentar”, thotë Bardhi.