‘Kuvendi i Veriut’: Qeveria aktuale ka diskriminuar Veriun e Shqipërisë
Në një klimë të mbushur me pasiguri politike dhe zhgënjim qytetar, “Kuvendi i Veriut” po shfaqet si një nismë për të artikuluar shqetësimet e një pjese të vendit që prej kohësh ndjehet e përjashtuar nga vëmendja shtetërore. Zëri i përfaqësuesve të kësaj lëvizjeje, si Blerta Gazidedja dhe Genc Paçuku, ngrenë akuza të drejtpërdrejta ndaj politikave qeveritare që, sipas tyre, kanë diskriminuar sistematikisht Veriun e Shqipërisë.
Të ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, Gazidedja theksoi se mungesa e zhvillimit në Veri nuk është perceptim, por realitet i mbështetur në statistika, ndërsa Paçuku, përfaqësues i diasporës dhe organizator i lëvizjes, bën thirrje për sensibilizim qytetar dhe mbështetje popullore, duke nënvizuar se pa këtë, çdo përpjekje mbetet e pafuqishme.
BLERTA GAZIDEDJA:Është fakt që Veriu është i diskriminuar. Unë kam tentuar të mbuloj pjesën e statistikave ekonomike, pra, ne ta faktojmë që ky është një realitet dhe jo një deklaratë politike ose një pretekst për të bërë lëvizje. Nuk dua të hyj që tani në shifra, por e kemi të faktuar që politikat e kësaj qeverie kanë lënë jashtë, kanë përjashtuar dhe nuk kanë asnjë zhvillim në pjesën e Veriut. Pra jo vetëm ajo që i takon nuk ja kanë dhënë, por dhe orientimi që kanë marrë nuk ka asnjë vizion që kjo është zonë e Shqipërisë dhe duhet të ketë plane, por nuk ka shpresa për më mirë. Shpresa ishte shumë e madhe për zgjedhjet, pra kishte ardhur në pikën që në Shqipëri duhet të vinte, nuk erdhi por kjo gjë nuk duhet ta shuajë shpresën që këta njerëz meritojnë dhe zëri i tyre të dëgjojnë. Katastrofa ka ndodhur.
GENC PAÇUKU: Lëvizja jonë aktualisht është një sensibilizim, sepse edhe ne nuk e dinim shumë mirë se çfarë do të ndodhë. Jemi një lëvize dhe duhet parë mbështetja popullore për të parë ja vlen apo nuk ja vlen. Pa mbështetje si unë i ardhur nga Anglia dhe çdo iniciues nuk kemi forcë të bëjmë asgjë. Forca është e popullit, ne jemi këtu për ta iniciuar këtë. Ta zgjojmë popullin që të lëvizë. Pastaj, hapat e radhës do të shihen nga mbështetja që ne kemi. Ka shumë parti dhe ‘partiçka’, ka dhe shoqata që mundohen të paraqiten në Shqipëri si shpëtimtar të kombit dhe në fund nuk kanë bërë asgjë.