Qumështi i gjirit është një 'superushqim dinamik'
Një studim i ri sugjeron se ruajtja e qumështit të gjirit sipas orëve të ditës mund të ndihmojë në rregullimin e orës biologjike të foshnjave. Studiuesit thonë se qumështi i gjirit është një ushqim "dinamik", pasi përmban nivele të ndryshme hormonesh gjatë ditës.
Duke etiketuar qumështin e shtrydhur si "mëngjes", "pasdite" ose "mbrëmje", prindërit mund t'i ofrojnë foshnjës sinjale të rëndësishme në kohën e duhur, duke ndihmuar zhvillimin e ritmit cirkadian dhe duke përkrahur gjumin, metabolizmin dhe zhvillimin e sistemit imunitar.
Studiuesit amerikanë analizuan 236 mostra të qumështit të gjirit të marra nga 38 nëna në 6 të mëngjesit, 12 të mesditës, 6 të pasdites dhe në mesnatë. Ata matën nivelet e hormoneve melatoninën, kortizolin dhe oksitocinën, si dhe imunoglobulinën A (IgA) dhe laktoferrinën, të cilat ndihmojnë në zhvillimin e zorrëve dhe mikrobiomës së fëmijës.
Rezultatet treguan se melatonina arrinte kulmin natën, ndërsa kortizoli ishte më i lartë në mëngjes. Hormonet e tjera dhe proteinat e qumështit mbeteshin më të qëndrueshme gjatë ditës. Studiuesit gjithashtu vunë re se nivelet e kortizolit, IgA dhe laktoferinës ishin më të larta tek foshnjat më pak se një muaj, duke ndihmuar mbrojtjen imunitare dhe kolonizimin e zorrëve.
Dr. Melissa Woortman tha se matja e hormove dhe sinjaleve cirkadiane në qumështin e gjirit mund të ndihmojë nënat që përdorin qumësht të shtrydhur të përputhin kohën e ushqyerjes me kohën e shtrydhjes, duke maksimizuar përfitimet e qumështit. Profesoreshë Maria Gloria Dominguez-Bello shtoi se ky është një hap praktik për të ruajtur përbërjen hormonale dhe mikrobiologjike natyrale të qumështit dhe për të mbështetur ritmet cirkadiane të foshnjave. / Talker News - Syri.net